×
  • Lajme
  • Lajme / Rrahja nga BIA serbe

    Haxhiu: Sanduloviqi u rrah vetëm pse e pranon të vërtetën e Kosovës, ndërkombëtarët ta dënojnë këtë akt

    Reporteri
    05 Janar 2024 | 11:02
    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas rrahjes së politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq.

    Haxhiu ka shkruar se ai është rrahur vetëm pse e pranon të vërtetën e Kosovës.

    Ministrja e Drejtësisë ka thënë se komuniteti ndërkombëtar duhet ta dënojë këtë akt.

    “Serbia është ende në vitet ‘90 dhe larg normalizimit. Atje, i vetmi opozitar, Sanduloviq, rrihet dhe përpiqet të eliminohet vetëm sepse e pranon të vërtetën e Kosovës. Komuniteti ndërkombëtar duhet ta dënojë këtë akt”, ka shkruar Haxhiu në rrjetin social X.

    Gjatë ditës së sotme, Çedomir Stojkoviq, avokati i politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq, ka njoftuar se ky i fundit po dërgohet në burgun qendror në Beograd nga Emergjenca ku dje u shtrua pasi u raportua se ishte rrahur nga zyrtarë të shërbimit sekret.

    Stojkoviq ka thënë se Sanduloviqi po transferohet në burg kur “jeta e tij është në rrezik”.

    “Ata po e largojnë sepse Nikola vendosi lule në varret e shqiptarëve. Është akuzë zyrtare dhe formale ndaj tij. Më lejoni të përsëris, akuza zyrtare ndaj tij është se ka përhapur urrejtje ndaj serbëve duke vendosur lule në varret e shqiptarëve duke kërkuar falje nga shqiptarët për krimet e kryera”, ka shkruar ai në plaformën X.

    Sipas avokatit, Stojkoviq është rrahur dy ditë më parë në ndërtesën e BIA-s për këtë arsye: “sepse vendosi lule në varret e shqiptarëve në Kosovë”.

    Avokati: Sanduloviq po dërgohet nga spitali në burg, jeta e tij është në rrezik

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!