Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, është deklaruar për komunikimet e brendshme mes anëtarëve të Kryesisë së kësaj partie që i publikoi Gazeta Online Reporteri.net, ku ata akuzojnë njëri-tjetrin për vjedhje votash, e flasin për “skemë të organizuar kriminale” për votat me postë të mërgatës.
Haziri ka thënë se nga njohuritë që ka nuk beson se ka pasur “skemë kriminale”, duke shtuar se në LDK nuk guxon askush të fabrikojë vota. Në emër të LDK’së, Haziri tha se ata që kanë prekur në vota do të ballafaqohen me LDK’në së pari, e pastaj me ligjin, shkruan Reporteri.net.
“Unë kam guxim ne emër të LDK’së me thanë që ju që keni prek vota keni me u ballafaqu me LDK’në më së pari, me ligjin ma vonë…Ata nuk munden me i shpëtu edhe drejtësisë mrena LDK’së sepse na nuk pranojmë. Me dijen time, me njohuritë e mia dhe me atë që kamë mujt me përcjellë e me mbulu, LDK’ja nuk e pranon këtë lloj ndikimi e këtë skeme. Edhe kësaj here, po e thom me siguri që nuk guxon kërkush në LDK me fabriku mënyra të marrjes së votës dhe fabrikimit të votës”, ka thënë Haziri në Kanal 10.
Sipas Hazirit, ata që kanë futur duart në skema të tilla, s’janë të LDK’së.
“Ata që i kanë fut duart në skema, kanë pretendu me prek votën e lirë të qytetarëve në mërgatë, me zhvendos vullnetin e tyre, nuk janë të LDK’së. Janë të papranueshme për mua dhe LDK’në. Hetimi deri në fund në mënyrë që mos me na e lanë këtë damkë politike neve, sepse nuk është e jona. Nuk është LDK’ja ajo që pranon, lejon edhe toleron situate të tilla”, ka shtuar tutje ai.
Nënkryetari Haziri tha se LDK’ja është ndërtuar me kulturën e debatit të brendshëm, teksa e veçoi veten, Arben Gashin si më të zëshmit, ku tha se të njëjtat gjëra që i flasin në Kryesi, i thonë edhe në publik.
Tha se ka edhe kolegë që nuk flasin në Kryesi, por vetëm në publik mundohen të dëshmojnë diçka tjetër.
“Unë rezervohem shumë me kategorizu nivele të tilla sepse edhe Arbeni e ka në thonjëza skemën e përmendur. Arbeni, edhe unë edhe disa tjerë që flasim mrena, njëjtë flasim edhe jashtë. Për dallim prej disa tjerëve që brenda heshtin, janë të kujdeshshëm, nuk flasin hic, edhe masnej jashtë me publikun mundohen me demonstru, me dëshmu dicka tjetër, është krejt situatë tjetër. LDK’ja në këtë kulturë është ndërtu, në kulturën e debatit të brendshëm”, tha Haziri.
Gazeta Online Reporteri.net publikoi sot mesazhin që kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ia kishte dërguar Avdullah Hotit në Viber, si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë për shqetësimet që i kishte ngritur ish-kryeministri në të njëjtën bisedë të brendshme për votat e mërgatës.
Abdixhiku e nis këtë mesazh me “Përshëndetje Avdullah”. Aty Abdixhiku thotë se është i brengosur vetëm për votat e partisë.
Për kryetarin e LDK-së akuzat për vjedhje të votave brenda listës zgjedhore të partisë dhe insistimi në “strukturë të organizuar kriminale” nuk ishin brengë. Sipas tij s’do të duhej të ishin as për bashkëpartiakët e tij. I quante “luks momental”, që s’habitej që disa i kishin.
“Jam i interesuar që LDK të fitojë mandatin e 21-të. Këto çështjet tjera janë luks momental të cilën dhe nuk habitem që e keni. Sikur të ishim të gjithë të brengosur për këtë gjë, i kishim pas punët shumë më mirë”, shkruante Abdixhiku në “Viber”, derisa i përgjigjej vetëm shqetësimeve të Avdullah Hotit, i cili pajtohej me kërkesën e anëtarëve tjerë të kryesisë së LDK-së që kërkonin që situatës t’i vihej emri: “skemë e organizuar kriminale”.
“Në fakt jam i brengosur për nënperformacën e degëve nga realizimi i votave të regjistruara në vota aktuale për partinë. I kemi pasë të raportuara 40 mijë regjistrime, e po na realizohen gjysma e tyre në vota. Për këtë do të duhet të kishim brengë! Ju lus që të na kurseni nga ironitë…”, thuhej nder tjera në mesazhin e Abdixhikut.
Paraprakisht, derisa në QNR numërimi i votave të ardhura me postë po shkonte drejt fundit, Avdullah Hoti kishte kërkuar nga “grupi i Kryesisë së LDK-së që ka punuar me diasporë” t’i njoftonte se çfarë po ndodhte, pasi sipas tij kishte evidentuar disa “parregullsi” dhe mospërputhje te çuditshme.
“E çuditshme me votat e diasporës së LDK-së nga Komuna e Rahovecit!!! Nga disa kuti po rezulton se diaspora e Rahovecit po i voton kandidatët e Pejës, të Prishtinë e të disa komunave të tjera në masë të madhe jashtë shpërndarjes normale të votave!!! Ndoshta ky është vullneti i elektoratit të LDK-së në diasporë nga Komuna e Rahovecit!!! Por, të njëjtit kandidatë, në Degën e Rahovecit në Kosovë kanë marrë vota sipas një mesatareje të përgjithshme të shpërndarjes së votave në gjithë listën e LDK-së. Unë tentoj t’i besoj kësaj shpërndarjeje më shumë, sepse besoj se përfaqëson vullnetin e elektoratit të LDK-së, në Degën e Rahovecit. Ndoshta Grupi i Kryesisë së LDK-së që ka punuar me diasporë na njofton se çfarë po ndodh. Ndoshta unë nuk i kam informatat”, shkruante Avdullah Hoti, më 2 mars 2025, në grupin në “Viber” të kryesisë së LDK-së.
“Ju kam paralajmëruar me kohë dhe qartë se i presim 40 mijë vota – sipas raportimit të degëve dhe ekipit për mërgatë. Ju kam paralajmëruar me logjikë; dhe siç ka ndodhë dhe me zgjedhjet e kaluara, votat e mërgatës ndryshojnë kandidatët; prandaj mos shpallni fitore pa u numëruar të gjitha…”, i kundërpërgjigjej tutje Abdixhiku Hotit dhe të tjerëve në kryesi që denonconin, sipas tyre, vjedhjen e votave brenda partisë.
Disa javë pas përplasjes në “Viber”, Avdullah Hoti kishte denoncuar edhe publikisht në Facebook “skemat” brenda partisë duke kërkuar edhe ndërrimin e lidershipit të LDK-së.
Nga ana tjetër, Gazeta online Reporteri.net të hënën ka publikuar edhe përplasjen në të njëjtin grup në “Viber” mes Kujtim Shalës dhe Arben Gashit. Ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së po këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave brenda LDK-së dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë e organizuar kriminale”.
“Faktet po ulërasin o Kujtim. Ti duhet me u pajtu me shqetësimin, për krimin qe ka ndodhë”, shkruante Arben Gashi në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së.
“Asnjë manipulim nuk është i tolerueshëm”, i përgjigjej Kujtim Shala. “Për të gjitha”, vazhdonte numri 2 i listës zgjedhore të LDK-së.
“Kujtim, qitja emrin, nuk është manipulim, është skemë e organizuar kriminale. Pa e identifiku sakt problemin nuk mundemi me e shpëtu partinë”, insistonte Arben Gashi në mesazhin në grupin në “Viber” të kryesisë së LDK-së, të cilin e ka publikuar të hënën gazeta online Reporteri.net.
Publikimi i këtij debati të brendshëm në grupin e Kryesisë qendrore në “Viber” ka nxitur të hënën mbrëma edhe reagimin e vetë kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Në Facebook, ai i quajti sulme të sinkronizuaran ndaj LDK-së “të nisura që nga përfundimi i zgjedhjeve” dhe sipas tij “nuk janë as të rastësishme e as të paqëllimshme”. “Ato rikulmuan dhe sonte, në sinkron!”, shtoi Abdixhiku, vetëm pak minuta pasi gazeta online Reporteri.net paralajmëroi publikimin edhe të mesazhit të tij në vazhdën e serisë së publikimit të komunikimeve të brendshme të zhvilluara në grupin në “Viber” të LDK-së.
“Janë sulme që për target pështyme kanë, merreni me mend, partinë e vendit të tretë. Ne, sërish, për të satën herë nga vendi i tretë – siç na kujtojnë këta si të parëndësishëm – jemi fajtorët kryesorë për secilën gjë në këtë vend. Në këto sulme të paramenduara e në sinkron, janë bërë bashkë kundërshtarët e rinj e të vjetër të Lidhjes; dhe gjithë ata që ndjejnë se kanë humbur hapin me hapjen e madhe që në LDK ka ndodhë, po ndodhë dhe do të ndodhë”.
Ndryshe, “skemë kriminale”, gjendjen me votat me postë brenda listës zgjedhore të LDK-së e kishte emërtuar edhe anëtari tjetër i kryesisë Shkëmb Manaj. Një mesazh të tij që akuzonte partinë për vjedhje të votave, të cilin Manaj e kishte dërguar në një nga grupet e brendshëm të komunikimit të Kryesisë së partisë, e ka nxjerrë në publik gazeta online Reporteri.net, të premten e javës që shkoi.