×
  • Lajme
  • Lajme

    Haziri: Kërkesat opsionale Hamza duhej t’i bënte më 10 shkurt, jo më 10 qershor

    Reporteri
    11 Qershor 2025 | 21:28
    Foto: Adriatik Jakupi, Reporteri

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka kritikuar PDK-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje për mënyrën si po e trajtojnë krizën politike që po zgjat prej zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Haziri ka theksuar se PDK-ja është dashur të veprojë menjëherë pas zgjedhjeve me kërkesa opsionale dhe jo të bëj deklarime me vonesë, më 9 e 10 qershor.

    Sipas tij, përpjekjet për bashkëpunim me PDK-në kanë ekzistuar dhe kanë qenë konstruktive, ndryshe nga ajo që ai e cilëson si “bashkëpunim tejet zyrtar” me VV-në.

    “Prej 9 shkurtit çfarë është dashur ta bëjë zoti Hamza dhe PDK-ja është që në 10 shkurt në mëngjes me definu kërkesën opsionale edhe me pas veprim opsional për këtë çështje, e jo me 10 qershor e 9 qershor me komuniku, unë e di që në debat… Kemi provuar, ka pasur takime politike, komunikim politik, ka pasur takim të vogla të rralla, komunikimi nuk ka munguar. Krejt është në kudër të një bashkëpunimi politik që është i mirë dhe i cili ka munguar me partinë e parë”, ka deklaruar ai, në Debat Plus të RTV Dukagjini.

    Ai ka thënë se LDK-ja ka lexuar drejt mesazhin politik të liderit të VV-së për ndërtimin e institucioneve me LDK-në.

    “Defacto në funksion të komunikimit politik nuk ka pasur, komunikimi i partisë së parë me LDK është komunikim me letra. Nuk është asgjë e keqe, por në rastet kur punojnë partitë me zgjidh problemin komunikimi me letra tregon nivelin edhe formatin e bashkëpunimit. Ky bashkëpunim është tejet zyrtar. Letra shpreh dëshirën politike, vullnetin politik, me kunja shpeshherë, edhe pse LDK-ja e ka lexuar drejt që është vullnet politik i liderit te VV-së me ndërtu me institucione me LDK-në”, ka deklaruar Haziri.

    “Opsioni ynë është i qartë: ndërtimi i një qeverie të përbashkët. Në këtë formulë nuk fiton e as nuk humb askush, fiton demokracia parlamentare”, ka shtuar Haziri.

    Në fund, ai përmendi edhe rolin e Listës Serbe, duke theksuar se edhe pse janë të certifikuar si deputetë, ata janë përjashtuar nga formula e re e përbërjes së Kuvendit dhe nuk po marrin pjesë në funksionimin e tij.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!