×
  • Lajme
  • Lajme / Kriza

    Haziri: Kurti më 9 shkurt ka dalë dhe e ka mbyllur partneritetin – befasi lëvizja e Konjufcës nga pozita e kryetarit të Kuvendit

    Reporteri
    21 Prill 2025 | 23:51
    Foto: Adriatik Jakupi, Reporteri

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, e ka mbyllur mundësinë për bashkëpunim nëpërmjet fjalëve ofenduese në natën e zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt, shkruan Reporteri.net.

    Situatën aktuale, Haziri e ka cilësuar si një krizë politikë për të cilën ka thënë se “do të thellohet”. Sipas tij, pa marrëveshje politike nuk do ketë ecje përpara.

    “Kjo është krizë politike. Sa do të thellohet varet nga iniciativa e partisë së parë. Varet nga sjellja e partisë së parë. S’do të duhej nga të tjerët të bënin veprime. Kurti më 9 shkurt ka dalë dhe e ka mbyllur partneritetin. Ka thënë unë partnerët i kam zgjedhur, s’kam të tjerë”, ka thënë Haziri në KTV.

    Ai ka folur edhe për zgjidhjen e kryetarit të Kuvendit, ku tha se ky tashmë është proces politik, e jo procedural. Haziri tha se brenda Vetëvendosjes ka emra të tjerë për postin e kryetarit të Kuvendit, duke shtuar se “ka qenë befasi lëvizja e Glauk Konjufcës nga pozita e kryetarit të Kuvendit”.

    “Ky është proces politik, e jo procedural. Ftesat për konsultime si ‘ne e kemi kandidatin për kryeparlamentar, e ju bini kandidatin për nënkryetar’. Kjo s’është zgjidhje sepse udhërrëfyesi i Gjykatës Kushtetuese ekziston…Partia e parë duhet të bëjë përpjekje për të krijuar shumicën që mundëson zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”, ka thënë Haziri.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!