Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se ai dhe kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, e dijnë se nga kush rrodhën komunikimet e brendshme të Kryesisë, të cilat i publikoi Gazeta Online Reporteri.net.
Haziri madje e sfidoi personin që të dalë publikisht ta pranojë, siç tha ai, nëse ka guxim. Ai tha se nëse ai apo Abdixhiku do të publikonin mesazhet që u janë dërguar, disa s’do të mund të dilnin në qytet.
“Unë i sfidoj sonte, qaj që ka guxim le të del të thotë unë e kam bë. Po, le të del. Unë tash me ua nxjerr atyne sms mu që m’i kanë shkru, ose nesër Lumir Abdixhiku me ua nxjerr atyne sms’at, ata nesër në shehër s’muj dalin më. Aty një njeri i ka nxjerrr”, tha Abdixhiku.
Ai mohoi se bisedat janë nxjerrë nga Avdullah Hoti.
Gazeta Online Reporteri.net publikoi sot mesazhin që kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ia kishte dërguar Avdullah Hotit në Viber, si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë për shqetësimet që i kishte ngritur ish-kryeministri në të njëjtën bisedë të brendshme për votat e mërgatës.
Abdixhiku e nis këtë mesazh me “Përshëndetje Avdullah”. Aty Abdixhiku thotë se është i brengosur vetëm për votat e partisë.
Për kryetarin e LDK-së akuzat për vjedhje të votave brenda listës zgjedhore të partisë dhe insistimi në “strukturë të organizuar kriminale” nuk ishin brengë. Sipas tij s’do të duhej të ishin as për bashkëpartiakët e tij. I quante “luks momental”, që s’habitej që disa i kishin.
“Jam i interesuar që LDK të fitojë mandatin e 21-të. Këto çështjet tjera janë luks momental të cilën dhe nuk habitem që e keni. Sikur të ishim të gjithë të brengosur për këtë gjë, i kishim pas punët shumë më mirë”, shkruante Abdixhiku në “Viber”, derisa i përgjigjej vetëm shqetësimeve të Avdullah Hotit, i cili pajtohej me kërkesën e anëtarëve tjerë të kryesisë së LDK-së që kërkonin që situatës t’i vihej emri: “skemë e organizuar kriminale”.
“Në fakt jam i brengosur për nënperformacën e degëve nga realizimi i votave të regjistruara në vota aktuale për partinë. I kemi pasë të raportuara 40 mijë regjistrime, e po na realizohen gjysma e tyre në vota. Për këtë do të duhet të kishim brengë! Ju lus që të na kurseni nga ironitë…”, thuhej nder tjera në mesazhin e Abdixhikut.
Paraprakisht, derisa në QNR numërimi i votave të ardhura me postë po shkonte drejt fundit, Avdullah Hoti kishte kërkuar nga “grupi i Kryesisë së LDK-së që ka punuar me diasporë” t’i njoftonte se çfarë po ndodhte, pasi sipas tij kishte evidentuar disa “parregullsi” dhe mospërputhje te çuditshme.
“E çuditshme me votat e diasporës së LDK-së nga Komuna e Rahovecit!!! Nga disa kuti po rezulton se diaspora e Rahovecit po i voton kandidatët e Pejës, të Prishtinë e të disa komunave të tjera në masë të madhe jashtë shpërndarjes normale të votave!!! Ndoshta ky është vullneti i elektoratit të LDK-së në diasporë nga Komuna e Rahovecit!!! Por, të njëjtit kandidatë, në Degën e Rahovecit në Kosovë kanë marrë vota sipas një mesatareje të përgjithshme të shpërndarjes së votave në gjithë listën e LDK-së. Unë tentoj t’i besoj kësaj shpërndarjeje më shumë, sepse besoj se përfaqëson vullnetin e elektoratit të LDK-së, në Degën e Rahovecit. Ndoshta Grupi i Kryesisë së LDK-së që ka punuar me diasporë na njofton se çfarë po ndodh. Ndoshta unë nuk i kam informatat”, shkruante Avdullah Hoti, më 2 mars 2025, në grupin në “Viber” të kryesisë së LDK-së.
“Ju kam paralajmëruar me kohë dhe qartë se i presim 40 mijë vota – sipas raportimit të degëve dhe ekipit për mërgatë. Ju kam paralajmëruar me logjikë; dhe siç ka ndodhë dhe me zgjedhjet e kaluara, votat e mërgatës ndryshojnë kandidatët; prandaj mos shpallni fitore pa u numëruar të gjitha…”, i kundërpërgjigjej tutje Abdixhiku Hotit dhe të tjerëve në kryesi që denonconin, sipas tyre, vjedhjen e votave brenda partisë.
Disa javë pas përplasjes në “Viber”, Avdullah Hoti kishte denoncuar edhe publikisht në Facebook “skemat” brenda partisë duke kërkuar edhe ndërrimin e lidershipit të LDK-së.
Nga ana tjetër, Gazeta online Reporteri.net të hënën ka publikuar edhe përplasjen në të njëjtin grup në “Viber” mes Kujtim Shalës dhe Arben Gashit. Ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së po këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave brenda LDK-së dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë e organizuar kriminale”.
“Faktet po ulërasin o Kujtim. Ti duhet me u pajtu me shqetësimin, për krimin qe ka ndodhë”, shkruante Arben Gashi në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së.
“Asnjë manipulim nuk është i tolerueshëm”, i përgjigjej Kujtim Shala. “Për të gjitha”, vazhdonte numri 2 i listës zgjedhore të LDK-së.
“Kujtim, qitja emrin, nuk është manipulim, është skemë e organizuar kriminale. Pa e identifiku sakt problemin nuk mundemi me e shpëtu partinë”, insistonte Arben Gashi në mesazhin në grupin në “Viber” të kryesisë së LDK-së, të cilin e ka publikuar të hënën gazeta online Reporteri.net.
Publikimi i këtij debati të brendshëm në grupin e Kryesisë qendrore në “Viber” ka nxitur të hënën mbrëma edhe reagimin e vetë kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Në Facebook, ai i quajti sulme të sinkronizuaran ndaj LDK-së “të nisura që nga përfundimi i zgjedhjeve” dhe sipas tij “nuk janë as të rastësishme e as të paqëllimshme”. “Ato rikulmuan dhe sonte, në sinkron!”, shtoi Abdixhiku, vetëm pak minuta pasi gazeta online Reporteri.net paralajmëroi publikimin edhe të mesazhit të tij në vazhdën e serisë së publikimit të komunikimeve të brendshme të zhvilluara në grupin në “Viber” të LDK-së.
“Janë sulme që për target pështyme kanë, merreni me mend, partinë e vendit të tretë. Ne, sërish, për të satën herë nga vendi i tretë – siç na kujtojnë këta si të parëndësishëm – jemi fajtorët kryesorë për secilën gjë në këtë vend. Në këto sulme të paramenduara e në sinkron, janë bërë bashkë kundërshtarët e rinj e të vjetër të Lidhjes; dhe gjithë ata që ndjejnë se kanë humbur hapin me hapjen e madhe që në LDK ka ndodhë, po ndodhë dhe do të ndodhë”.
Ndryshe, “skemë kriminale”, gjendjen me votat me postë brenda listës zgjedhore të LDK-së e kishte emërtuar edhe anëtari tjetër i kryesisë Shkëmb Manaj. Një mesazh të tij që akuzonte partinë për vjedhje të votave, të cilin Manaj e kishte dërguar në një nga grupet e brendshëm të komunikimit të Kryesisë së partisë, e ka nxjerrë në publik gazeta online Reporteri.net, të premten e javës që shkoi.