Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci ka reaguar pas hedhjes së dy granatave të dores në oborrin e stacionit policor të kësaj komune, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në një postim në Facebook, Peci ka dënuar ashpër këtë akt të papranueshëm dhe kërcënim serioz ndaj sigurisë publike.
Peci, ka thënë se si kryetar i asaj komune do të angazhohet për të siguruar se do të merren të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të mbështetur institucionet e rendit dhe ligjit.
Fatmirësisht, policia ka bërë të ditur se përveç dëmeve materiale nuk ka pasur të lënduar.
“Zveçan 26.11.2024, 23:55. Është raportuar se nga persona të panjohur janë hedhur dy granata dore në oborrin e stacionit policor, ku përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Akt terrorist e të izoluar e ka konsideruar Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci hedhjen e granatave mbrëmë.
Ministri bëri të ditur se FSK është e gatshme për tu ballafaquar me çdo kërcënim dhe rrezik që i paraqitet vendit tonë.
“Rasti i djeshëm më shumë është çështje e MPB, pra Policisë së Kosovës, duke qenë që është një akt terrorist i izoluar por i ndërlidhur me aktet e vazhdueshme që grupet e ndryshme paramilitare kanë ndërmarrë kundër vendit tonë duke përfshirë edhe synimin për të aneksuar pjesë të territorit tonë në 24 shtatorin e vitit të kaluar”, ka thënë Maqedonci.
/Reporteri.net/