×
  • Lajme
  • Lajme

    Hekuran Murati: Për pagën minimale, veteranët e vërtetë mendojnë si ne

    Reporteri
    15 Qershor 2022 | 22:02

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se ajo që po bën qeveria e Kosovës është e njëjtë me atë që e kërkojnë veteranët e vërtetë.

    Sipas Muratit, mbështetjen për veteranët do ta bëjnë por aktualisht po merren me pagën minimale.

    “Krejt çka po tentojmë është me e rrit pagën minimale si qeveri dhe s’po themi se s’kemi me i trajtuar edhe veteranët, edhe listat e veteranëve, edhe mbështetjen për ta por ajo është diskutim tjetër. Fillimisht kemi thënë po e trajtojmë pagën minimale”, tha Murati.

    “Ne si qeveri jemi plotësisht në të njëjtën vijë të argumentimit edhe të mendimit me veteranët e vërtetë”, tha Murati në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

    “A mendon se janë 56 mijë veteranë të vërtetë?”, pyet ministri.

    “Çka kërkojmë ne është ajo që kërkojnë veteranët e vërtetë. Me cilindo veteran që më ka rënë me bisedu nuk me ka rënë mos me taku edhe mos me vërejtë që janë të indinjuar dhe të irrituar që krahas tij që ka luftuar dhe ka sakrifikuar, ka rrezikuar jetën, është regjistruar edhe dikush që ndoshta s’ka qenë fare këtu”, shtoi ai.

    Ndryshe, veteranët do të mbajnë nesër protestë. Policia e Kosovës ka dalë me njoftim zyrtar për këtë protestë, duke thënë se kanë bërë përgatitjet e nevojshme operacionale policore, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Përmes një komunikate drejtuar mediave, Policia ka bërë me dije se sot janë takuar me përfaqësues të Shoqatës së Veteranëve, me të cilët kanë folur rreth organizimit të protestës, vendit dhe kohës së mbajtjes.

    “Policia e Kosovës e njeh të drejtën e shprehjes së lirë, pakënaqësive (protestës) si e drejtë ligjore. Lidhur me këtë lajmërim PK-ja, ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët, mbrojtjen e pronës dhe ofrimin e sigurisë në trafik.

    Policia do të ndërmerr masat e nevojshme preventive, operative policore për të siguruar që mbarëvajtja e tubimit / protestës të kalojë pa ndonjë incident, që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore”, thuhet në komunikatë.

    Policia ka ftuar pjesëmarrësit për protestë paqësore.

    “Sipas procedurave të parapara policia do të merr masa dhe do të shtojë aktivitetet operative para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës. Me këtë rast fton të gjithë qytetarët, përfshirë pjesëmarrësit në protestë që protesta të zhvillohet e qetë duke respektuar ligjet e vendit dhe që kërkesat e tyre t’i shpalosin në mënyrë demokratike e ligjore”, thuhet në komunikatë./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!