Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka shpërndarë postim të para një viti, ku ka thumbuar LDK-në dhe kreun e saj Lumir Abdixhiku, në lidhje me akuzat që kishte bërë për humbjet në Trust, duke thënë se deklarimet e kësaj partie kanë qenë fushatë dezinformimi dhe se njohuritë e tyre janë të mjaftueshme sa për të llogaritur kusurin, por “jo për gjëra më të thella”, shkruan Reporteri.net.
Murati krahas reagimit të tij, ka postuar edhe deklaratën e Abdixhikut një vit më parë mbi Trustin Pensional të Kosovës, ku Qeveria Kurti akuzohej se “ka rënë gjumë, ndërkohë që humbjet në Trust çdo ditë janë 500 mijë euro”.
Postimi i tij:
Facebook ma kujtoi që në këtë kohë para një viti, Lumir Abdixhiku e Avdullah Hoti patën filluar një fushatë dezinformimi, siç rëndom bëjnë për pothuajse të gjitha temat, në lidhje me kursimet e Trustit dhe performancën e investimeve.
Sipas logjikës së Abdixhikut e Hotit, Trusti do duhej t’i kishte humbur nja 180 milionë euro deri më sot, për një vit.
Por ja që koha, bashkë me performancën e investimeve në Trust, e tregon edhe njëherë se njohuritë e ekonomistëve të LDK-së janë të mjaftueshme vetëm sa për të llogaritur se sa duhet kthyer kusuri, por jo për gjëra më të thella.