×
  • Lajme
  • Lajme

    Lutfi Haziri i pakënaqur me Kurtin: E pamjaftueshme heqja e pjesshme e tarifës

    Reporteri
    20 Mars 2020 | 15:34

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se “është i pamjaftueshëm” lirimi nga tarifa për lëndën e parë që hyn nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, në mënyrë që LDK-ja të vazhdojë të jetë pjesë e qeverisë.


    Kryeministri Kurti ka nënshkruar një dokument për shqyrtimin dhe miratimin në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë për heqjen e tarifës 100 për qind, në ditën kur Isa Mustafa, kryetari i LDK-së, partnerit të koalicionit qeverisës, i ka kërkuar atij ta heqë tarifën dhe ta rikthejë në pozitë Agim Veliun.

    Mirëpo, heqja e tarifës për lëndën e parë që hyn nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, konsiderohet e pamjaftueshme nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili ka thënë se “Lidhja Demokratike kërkon kthimin në gjendjen zero”.

    “Është e pamjaftueshme, sepse nuk është bërë me kabinet qeveritar. Vlen kërkesa e Lidhjes Demokratike të Kosovës deri në kohën që ne e kemi dhënë”, ka deklaruar Haziri. “Nuk ka të bëjë me emër të përveçëm, por ka të bëjë me parime”.

    Haziri është shprehur se parimet e LDK-së janë heqja e taksës dhe kthimi në pikën zero “sipas propozimit të LDK-së”.

    “Pika zero do të thotë: largimi i tarifës, rikthimi z. Veliu dhe kërkim falje të cilën e ka kërkuar Isa Mustafa, sepse ajo është etikë në politikë. Përdorimi i situatës emergjente për prodhimin e krizave politike, është përtej të pritshmes”, ka thënë Haziri.

    Kryeministri Albin Kurti shkarkoi të mërkurën Agim Veliun nga pozita e ministrit të punëve të Brendshme dhe Administratës.

    Si kundër-reagim ndaj këtij vendimi të Kurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës paralajmëroi rrëzimin e qeverisë në qoftë se kryeministri Kurti nuk i përgjigjet pozitivisht tri kërkesave të saj: kërkim-faljen ndaj LDK-së, rikthimin në pozitë të Veliut dhe heqjen e tarifës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!