×
  • Lajme
  • Lajme / Paris

    Heqja nga agjenda e kërkesës së Kosovës për t’u bërë mysafire speciale në Asamblenë e KiE-së, Bogujevci: Anëtarësimi i plotë, proces i pandalshëm

    Reporteri
    05 Mars 2025 | 19:54

    Kërkesa e Kosovës për të qenë mysafire speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u hoq nga rendi i ditës, konfirmoi delegacioni i Kosovës pranë KiE-së.

    Kjo kërkesë ishte në rendin e ditës së takimit të Komitetit, i cili u mbajt në Paris.

    Pas kësaj me një sqarim ka dalë Saranda Bogujevci nga Vetëvendosje, pjesë e delegacionit, e cila tha se Kosova do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Ajo tha se ky është një proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Sot ishim në takimin e Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci, të Këshillit të Evropës, ku një nga pikat në rendin e ditës ishte edhe trajtimi i kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për avancim të statusit. Kjo pikë është pjesë procedurale e një shteti që aplikon për anëtarësim. Komiteti e trajton kërkesën me propozim të Byrosë dhe jep opinionin për Byronë, e cila e merr vendimin. Me kërkesë të deputetit Pablo Hispan, udhëheqës i grupit të EPP-së, është shtyrë kjo pikë e rendit të ditës. Kosova ka arritur sukses të jashtëzakonshëm kur, me mbi 80% të votave, kaloi raportin në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësim. Procesi më i rëndësishëm është anëtarësimi; ndryshimi i statusit është procedurale dhe i përcaktuar me rregulla të Asamblesë. Është për keqardhje që një shtet e prezanton arritjen e një çështjeje që fare nuk lidhet me ta, për beteja të tyre politike të brendshme siç ka bërë sot Serbia. Republika e Kosovës do të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës sepse tashmë këtë e ka thënë Asambleja me votë. Ky është një proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm.”, ka shkruar ajo.

    Ndryshe, Ariana Musliu Shoshi – pjesë e delegacionit të Kosovës tha sot se me kërkesë të kryetarit të Grupit të Partisë Popullore Evropiane, Pablo Hispan, u votua për shtyrjen e kësaj pike nga rendi i ditës.

    Musliu-Shoshi e cilësoi këtë si “një zhvillim të papritur”.

    “Kjo situatë tregon nevojën për mobilizim si shtet, në bashkëpunim me aleatët tanë, për të krijuar një strategji të qartë që do të sigurojë realizimin e prioriteteve dhe agjendave tona në arenën ndërkombëtare”, shkroi ajo në Facebook.

    Të pranishëm në takimin e sotëm janë edhe Besnik Tahiri dhe Ariana Musliu Shoshi, anëtarë të delegacionit të Kosovës pranë Këshillit të Evropës.

    Asambleja Parlamentare mund t’i japë statusin e mysafirit të veçantë parlamenteve kombëtare të vendeve evropiane që nuk janë shtete anëtare, por të cilat kanë aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Anëtarët e delegacionit të mysafirit special mund të ulën në Asamblenë Parlamentare, por nuk kanë të drejtë vote. Ata kanë të drejtë të mbajnë fjalim me leje të presidentit të Asamblesë.

    Kosova dështoi të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në fillim të vitit 2024, për shkak se u kushtëzua me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Vitin e kaluar, Serbia kishte formuar grup punues për koordinimin e aktiviteteve të autoriteteve shtetërore kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Këshilli i Evropës është organizatë lidere në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Anëtarësimi eventual do t’i ndihmonte Kosovës, mes tjerash, në fushën e sundimit të ligjit, dhe luftimin e korrupsionit.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!