×
  • Lajme
  • Lajme

    Heshtja e befasishme e “Të përjashtuarve të Kurtit” nga Qeveria

    Reporteri
    09 Janar 2020 | 13:57

    Pak javë më parë, Liburn Aliu, Xhelal Sfeçla, Rexhep Selimi dhe disa zyrtarë tjerë të Vetëvendosjes, që janë themelues e që nga fillimi në këtë parti, flisnin kudo për opsionet e marrëveshjes me LDK-në. Ka disa ditë që ata po heshtin, shkruan Reporteri.


    Dhe heshtja e tyre po ndodhë pasi që Lideri i VV-së, Albin Kurti befasoi të gjithë kur propozoi emrat e njerëzve të VV-së për ministra. Ishin krejt njerëz të rinj, të sapoardhur në VV apo edhe njerëz jashtë politikës. Askund një nga bashkë-udhëtarët e kahershëm të tij, në protesta e arrestime.

    Liburn Aliu, Xhelal Sfeçla, Rexhep Selimi dhe të tjerë nuk kanë folur më asgjë që nga ajo ditë kur Kurti bëri këtë veprim. Ata as nuk kanë folur për mediat online, as nuk kanë qenë në studio televizive dhe madje as pastime në faqet e tyre në Facebook, transmeton Reporteri.net.

    Kjo duket jonormale sepse ata zakonisht janë shumë aktiv në komunikim. Nga VV-ja janë përpjekur të arsyetojnë vendimin e Kurtit si diçka normale, që në Qeveri dërgojnë njerëz profesionistë dhe jo domosdo politikë. Nga njohësit e çështjeve politike është parë si një veprim distancues i Kurtit nga garda e vjetër, dhe duke tentuar të paraqes vetën reformator.


    Haki Abazi – zëvendëskryeministër i dytë, Albulena Haxhiu – ministre e Drejtësisë, Blerim Reka – ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Besnik Bislimi – ministër i Financave dhe Transfereve, Rozeta Hajdari – ministre e Ekonomisë, Tregtisë e Industrisë, Arben Vitia – ministër i Shëndetësisë dhe Sportit janë ministrat e Kurtit është kabineti qeveritar brenda VV-së, i propozuar dje nga Kurti.

    Kurti nuk ka lënë anash vetëm gardën e themeluesve, por edhe aktivistë të kësaj partie nga Shqipëria.

    Dejona Mihali, Enis Sulstarova, Hysamedin Feraj, Elvis Hoxha Boiken Abazi, Arber Zaimi dhe Gearda Demiraj janë njerëzit e nga Shqipëria që kanë përkrahur qysh moti Vetëvendosjen dhe madje disa prej tyre kanë pasur edhe pozita të larta në strukturën drejtuese të saj. Asnjë prej tyre nuk është përfshirë në kabinetin e Kurtit. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!