×
  • Lajme
  • Lajme / Kronikë

    Hetimet fillestare nxorën fajtore policinë, çka dihet deri më tani për aksidentin e rëndë me tre të vdekur

    Reporteri
    28 Janar 2025 | 7:57

    Në rrugën rajonale Pejë – Mitrovicë mbrëmjen e së dielës, ndodhi një aksident trafiku me fatalitet. Tre persona vdiqën e disa të tjerë u lënduan rëndë.

    Inspektorati i Policisë së Kosovës ditën e djeshme deklaroi se hetimet fillestare të tyre nxjerrin fajtore veturën e Policisë së Kosovës të përfshirë në këtë aksident.

    Në njoftim u tha se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile.

    “Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile”, thuhet mes tjerash në komunikatën e IPK-së.

    IPK ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor i cili ka qenë drejtues i automjetit zyrtar të policisë në momentin e aksidentit përderisa lidhur me aksidentin janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me prokurorin kompetent.

    Polici që dyshohet se shkaktoi aksidentin me tre të vdekur është ndaluar për 48 orë.

    Zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni për Gazetën Online Reporteri.net. ka bërë të ditur se drejtuesi i veturës zyrtare është ndaluar për 48 orë për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik- me fatalitet”.

    “Në aksident kanë qenë të përfshira dy (2) vetura, një (1) veturë zyrtare e policisë dhe një (1) veturë civile. Si pasojë e aksidentit, tre (3) persona që kanë qenë në veturë civile kanë ndërruar jetë, dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupat e tyre janë dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Për këtë rast, është ndaluar një (1) person me vendim të prokurorit për dyzetetetë (48) orë, për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik – me fatalitet”, tha Preteni për Reporteri.net.

    Siç kishte njoftuar policia në aksident u përfshinë dy vetura, njëra nga to veturë e Policisë. Të lënduar mbetën edhe pesë persona, katër prej të cilëve zyrtarë policorë./Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!