Pas lajmit se Prokuroria Speciale ka nisur hetimet ndaj tij ka reaguar ministri i Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Aliu ka thënë se ai nuk ka njoftim zyrtar që ndaj tij kanë nisur hetime, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Po qarkullon në disa media një lajm se kanë nisur hetime ndaj meje. Unë njoftim zyrtar nuk kam patur, por dëshiroj të njoftoj opinionin publik dhe vetë prokurorinë se për mua autoriteti më i lartë është ligji, se punoj dhe angazhohem çdo ditë për respektimin e ligjeve dhe zbatimin e tyre, dhe se për çdo çështje, çdo hetim apo çdo dyshim, jam i gatshëm të bashkëpunoj vetëm për drejtësi, sipas ligjit, deri në zbardhjen e plotë të çdo rasti.”, ka shkruar Aliu nw Facebook.
Sot në media u raportua se Prokuroria Speciale ka marrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve në çështjen e ambalazhuesve të ujit dhe nën hetim për këtë rast tashmë rezulton të jetë edhe Ministri i Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Sipas një dokumenti të publikuar nga Nacionale, ministri Liburn Aliu dyshohet se gjatë periudhës kohore, prej vitit 2021-2024 në cilësinë e personit zyrtar, pra si ministër, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerët dhe për ti shkaktuar dëm Buxhetit të Republikës së Kosovës, ka keqpërdorur pozitën zyrtare.
Ai dyshohet se duke qenë në dijeni se zyrtarët e kësaj Ministrie të pandehurit Izedin Bytyqi e Naser Hafizi vepruan në kundërshtim të plotë me rregullat, procedurat e ligjet në lidhje me llogaritjen e borxheve.
Ministri Liburn Aliu dyshohet se ka lejuar, me qëllim përfitimi e për ti shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, që operatorëve ekonomik të u zvogëlohen borxhet.
Më këtë sipas aktvendimit për zgjerimin e hetimeve, Prokuroria Speciale po dyshon se Ministri Aliu i ka shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës miliona euro.
Për rastin e njëjtë, pak ditë më parë Policia dhe Prokuroria kanë kryer një aksion bastisjeje në Ministrinë e Liburn Aliut me ç’rast u arrestua sekretari Izedin Bytyqi dhe u vu në kërkim zyrtarin e MMPHI-së, Naser Hafizi, i cili u arrestua me tu kthyer në Kosovë nga një udhëtim zyrtar.
Bytyqi u la në arrest shtëpiak nga Gjykata Themelore e Prishtinës, derisa Hafizi u dërgua në paraburgim.