×
  • Lajme
  • Lajme

    Hetohen personat nga Peja që ishin në varrimin ku dyshohet se u infektuan me virus

    Reporteri
    26 Prill 2020 | 21:26

    As Komuna e Pejës, nuk i shpëtoi karantinimit. Të shtunën mbrëma u mor vendimi nga Ministria e Shëndetësisë, për t’u shpallur zonë e karantinuar.


    Ky vendim erdhi pas konfirmimit edhe të dy rasteve të reja të shtunën me virusin covid-19, që çoi numrin në 49 të të prekurve nga kjo komunë.

    Përmes një postimi në Facebook, është bërë e ditur se Qendra Operative Emergjente e Pejës nën drejtimin e kryetarit Muhaxheri, mbajti takim për të shqyrtuar situatën e re të krijuar për shkak të Covid-19.

    Në njoftim thuhet se nuk do të ketë kompromis për asnjë biznes që nuk i respekton rregullat.

    Drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petri Loci thotë se gjendja e të prekurve me virusin covid-19 në përgjithësi është e mirë.

    Dy nga ta, thotë ai janë hospitalizuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në klinikën infektive.

    I pari i Shëndetësisë në Pejë, bëri me dije se edhe të dielën, kanë vazhduar testimet në komunë, por se ende nuk dihet numri i saktë i atyre që do të testohen.

    Ndërkohë, ishte një ceremoni mortore e zhvilluar më 6 prill në Pejë, që ndikoi që të përhapet në përmasa të mëdha, virusi covid19 në këtë komunë.

    36 persona që ishin pjesë e kësaj ceremonie, kishin dalë pozitivë për Covid 19.

    Andaj, edhe Prokuroria Themelore e Pejës, kishte nisur hetimet.

    Deri më tani numri i personave të prekur me koronavirus në Kosovë është 731, ku vetëm 24 orët e fundit janë konfirmuar 28 raste të reja dhe deri më tani 21 persona kanë humbur jetën.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!