Në mëngjesin e sotëm Shërbim Korrektues njoftoi se një i burgosur 27 vjeçar ka ndërruar jetë në Spitalin e Pejës.
Në njoftim thuhej se arsyet e vdekjes janë ende të paqarta, mirëpo Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka hedhur dyshime mbi rrethanat në të cilat i burgosuri me inicialet A.A ka ndërruar jetë, shkruan Reporteri.net.
Sipas KMDLNj-së i dënuari A.A 27 vjeçar, shtetas shqiptar ka vdekur në rrethana të pasqaruara.
I ndjeri ishte dënuar 1,5 vite burg dhe në vuajtje të dënimit në Burgun e Dubravës ishte nga data 11 qershor 2019.
”Në mëngjes, përkatësisht në ora 9:15 është gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore nga shokët e dhomës që ishin kthyer nga shëtitja e që i ndjeri nuk kishte dalur në shëtitje. Personeli mjekësorë i Burgut të Dubravës ka bërë përpjekje t’i ofrojë ndihmën e parë mirëpo për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Pejës ku edhe është konstatuar vdekja.
Trupi i të ndjerit është dërguar për obduksion për të konstatuar shkaqet e vdekjes.
KMDLNj thellësisht është shqetësuar me vdekjen e personave të privuar nga liria gjatë vujatjes së dënimit dhe kërkon intervenim urgjent të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë në mënyrë që të sigurohet një mbrojtje cilësore dhe efektive e shëndetit dhe jetës së personave të privuar nga liria.
KMDLNj është njoftuar për terapinë që e ka përdorur i ndjeri A.A dhe që mund të jetë edhe shkaktare për vdekjen e tij prandaj kërkon nga drejtësia e burgjeve të përforcojë kontrollet në mënyrë që të eleminohen gjësendet e ndaluara. I ndjeri A.A ka vdekur 12 ditë pasi ka filluar vuajtjen e dënimit dhe sipas KMDLNJ –së nuk ka pasur histori të një sëmundjeje të rëndë e që ka shkaktuar vdekjen e shpejtë.
KMDLNj kërkon që të përforcohet profesionalisht edhe materialisht Shërbimi Shëndetsorë i Burgjeve që të evitohen këso raste në të ardhmën”. /Reporteri.net