×
  • Lajme
  • Lajme / Diplomati amerikan

    Hill i habitur me vendimin e Serbisë për ndalimin e festivalit ‘Mirëdita, Dobar dan’: S’e kuptoj pse duhet humbur një shans i tillë

    Reporteri
    02 Korrik 2024 | 14:45

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, ka kritikuar vendimin e Serbisë për të ndaluar festivalin e përvitshëm ‘Mirëdita, Dobar dan’, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

    Në një intervistë për revistën ‘Diplomacy and Commerce’, Hill është shprehur i habitur për këtë vendim, për të cilin tha se nuk e priste.

    E dini, e kam parë lajmin, patjetër. Ky është një festival arti që sponsorizohet nga Bashkimi Evropian. Jam pak i habitur për këtë vendim. Nuk e prisja. Gjithmonë ka shqetësime për sigurinë. E kuptoj atë. Por nuk e kuptoj këtë vendim. Ky festival ishte një imazh i shkëlqyeshëm për Serbinë, ku mbahej tash e 10 vjet. Kishte bashkëpunim me të tjerët në rajon. Pra për mua, nuk e kuptoj pse duhet humbur një mundësi e tillë”, ka thënë ai.

    Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë më 27 qershor urdhëroi që festivali të mos mbahej, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.

    Paraprakisht, gjatë 27 qershorit grupe të djathtistëve dhe tifozëve bllokuan hyrjen në zonën ku ishte paraparë të bëhej hapja e festivalit.

    Policia, e cila nuk ndodhej në vendngjarje, shumë shpejt urdhëroi “ndërprerjen” e festivalit për shkak të “rrezikimit të sigurisë”.

    Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se nuk ka parë arsye që në Serbi të ketë festival sikurse “Mirëdita, dobar dan”, duke theksuar se personalisht beson se përgjigja më e mirë ndaj organizatorëve të ngjarjes është “shpërfillja”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se me vendimin e autoriteteve serbe për ndalimin e mbajtjes së festivalit, Serbia shfaqi “përsëri armiqësinë e saj të paepur ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me paqe dhe pajtim”.

    Ndalimi i festivalit u dënua nga disa parti opozitare në Serbi, ndërsa Bashkimi Evropian shprehu keqardhje.

    Festivali “Mirëdita, dobar dan” mbahet herë në Kosovë dhe herë në Serbi prej vitit 2014 dhe qëllimi i tij është përmirësimi i bashkëpunimit kulturor mes artistëve të Kosovës dhe Serbisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!