Në konferencën për media, kryetari i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Shkodran Imeraj e ka cilësuar pranimin e vendimit nga Qeveria e Kosovës për tokat e Manastirit të Deçanit, si ditë zie për Kosovën, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Imeraj tha se janë të shqetësuar lidhur me vendimin e kryeministrit Kurti i cili i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Kushteuteses për 24 hektarët tokë.
“Sot është një ditë zie për Kosovën, sot jemi të befasuar dhe tepër të indinjuar e shumë të shqetësuar me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit i cili i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës në Prishtinë për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për 24 hektarë tokë të ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria”, prona këto që me aktfalje të kohës së Millosheviqit iu dhuruan Manastirit të Deçanit. Zbatimi i vendimit për pronat në Deçan është sulmi më i madh që i është bërë rendit juridik e kushteutes të Republikës së Kosovës që nga hyrja në fuqi e
Kushtetutes së Republikës së Kosovës në vitin 2008″, tha Imeraj.
Ai pati kritika edhe për Ministren Gërvalla, për të cilën tha se mezi kishte pritur që t’i njoftonte Asamblenë e Këshillit të Evropës se “Kosova i zbatoi vendimet e kohës së Millosheviqit”.
“Jemi të befasuar me qëndrimin e Kurtit i cili i ka kërkuar Agjencisë që të zbatojë vendimin për pronat në Deçan, me vendimet e kohës së Millosheviqit, si dhe me qëndrimin e Gërvallës e cila mezi kishte pritur që t’i njoftonte Asamblenë e Këshillit të Evropës se Kosova i zbatoi vendimet e kohës së Millosheviqit. Sot i rikujtojmë kryeministrit Kurti se ai shkeli mbi qëndrimin e tij mbi dy dekada sa i takon Manastirit të Deçanit.
“Vendimet e kohës së Miloshevqiti janë të papranueshme, këto vendime duhet të jenë edhe për të gjithë qytetarët e Republikës. Poashtu zbatimi i aktgjykimi të Kushtetueses është i paranueshëm, i padrejtë, antiligjor dhe antikushtetues”, tha Imeraj.
“Kemi kërkuar sot ndihmën e juristëve dhe avokatëve më të mirë që lënda të përgatitet për tu dërguar në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg”, shtoi tutje ai./Reporteri.net/