×
  • Lajme
  • -->
    Lajme

    Hoti dhe Vuçiq në Bruksel zotohen të punojnë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse

    Reporteri
    07 Shtator 2020 | 11:13

    Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, janë zotuar të dyfishojnë përpjekjet e tyre në dialogun e ndihmuar nga BE-ja.


    Në një deklaratë të përbashkët në emër të tyre të lëshuar nga BE-ja para takimit thuhet se të dy palët duke u mbështetur edhe në marrëveshjet e arritura në Washington, janë pajtuar të punojnë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizim të marrëdhënieve.

    Aty po ashtu thuhet se palët u zotuan të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të siguruar rreshtim të mëtejshëm në BE në përputhje me detyrimet e tyre përkatëse.

    “Në rastin e vazhdimit të dialogut të ndihmuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës, presidenti Aleksander Vuçiq dhe kryeministri Avdullah Hoti, ia kanë konfirmuar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politika të Jashtme dhe Siguri/zëvendës-presidentit të Komisionit Evropian, Josep Borrell, se e kanë prioritetin më të lartë integrimin në BE dhe të vazhdohet puna në dialogun e ndihmuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës, që është element kyç i rrugëve të tyre në BE. Po ashtu u zotuan të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të siguruar rreshtim të mëtejshëm në BE në përputhje me detyrimet e tyre përkatëse. Në këtë drejtim, dokumentet e firmosura në Washington, duke u mbështetur në angazhimet e mëparshme të lidhura me dialog që kanë marrë dy palët, do të mund të ofrojnë një kontribut të dobishëm për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizim të marrëdhënieve”, thuhet në komunikatën e postuar nga BE-ja.

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!