Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, duke folur për aktivitetet e këtij komisioni qeveritar, në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të shoqatave për persona të zhdukur në prag të 27 prillit- Ditës së të Pagjeturve, tha se edhe sot, pas 26 vjetëve, familjarët e të pagjeturve vazhdojnë të jenë në luftë me Serbinë.
Hoti theksoi se dhimbja për personat e zhdukur nga lufta në Kosovë gjatë viteve 1998-’99, po vazhdon edhe sot.
“Një popull që bart me vete dhimbjen edhe 26 vjet pas, në veçanti të 1,592 familje që janë ende në luftë me Serbinë e gjen kështu vendin tonë data 27 prilli 2025, sepse të gjithë këta vazhdojnë në çdo mëngjes, në çdo ditë, në çdo mbrëmje të shpresojnë për të ditur diçka për dashurit e tyre. Dhe fati i tyre është në dijeninë e tyre që i kanë zhdukur në vitet 1998-‘99, domethënë te Serbia”, tha Hoti, për RTK.
Ai më tej shtoi se ende nuk është arritur të zbardhet fati i 1,592 personave, pavarësisht që është arritur të përpilohen dy dokumente të rëndësishme përmes deklaratës së BE-së që është deklarata e personave të zhdukur, miratuar më 2 maj 2023. Si dhe themelimi i një mekanizmi të një komisioni të përbashkët që kryesohet nga BE në dhjetor të vitit 2024.
“Duke njohur Serbinë, ne nuk kemi pasur shpresë të madhe në rezultatet nga këto dokumente apo të këtij komisioni. Shpresa jonë ka qenë dhe mbetet edhe sot është që bashkësia ndërkombëtare dhe miqtë tanë ndërkombëtarë të kuptojnë që Serbia megjithatë nuk është shtet normal”, theksoi Hoti.