Kosova dhe Izraeli, sipas marrëveshjes të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, kanë zyrtarizuar sot njohjen reciproke.
Përmes një ceremonie virtuale, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi, kanë nënshkruar dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, për të rritur bashkëpunimin në shumë fusha.
Ndërsa me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se sot është ditë e rëndësishme për Kosovën.
Ai tha që arritja e njohjes reciproke tregon efektin dhe rëndësinë që ka pasur marrëveshja e 4 shtatorit, e cila sipas tij, është kritikuar shumë.
Ai tha se kjo njohja nga Izraeli tregon se ata që kanë kritikuar marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë dhe ata qe se kanë pranuar këtë njohje kanë qenë gabim.
“Sot është ditë shumë e rëndësishme për Kosovën. Ne kemi hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit dhe fuqizimit të shtetësisë së Kosovës me marrëveshjen e sotme. Besoj që konkretizimi që bëmë sot tregon qartë për efektin dhe rëndësinë që ka marrëveshja e 4 shtatorit dhe i nxjerr gabim ata që e kanë kritikuar këtë marrëveshje, edhe duke mos e pranuar njohjen e Izraelit”, ka deklaruar ai.
Hoti ka thënë se sot janë nënshkruajtur disa marrëveshje që fuqizojnë bashkëpunimin ekonomik dhe politik me Izraelin.