Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti, i cili në mbledhjen e sotme të Qeverisë tha se kontestimi i ligjeve në Kushtetuese nga ana e Qeverisë është përpjekje dëshpëruese për të penguar reformat.
Hoti në një postim në Facebook, është përgjigjur duke thënë se ligjet dërgohen në kushtetuese kur ka dyshime se cenohet rendi kushtetues. Hoti ka thënë se ai që ka frikë nga dërgimi i ligjeve në Kushtetuese ka qëllime politike e jo fisnike.
“Ligjet dërgohen në Kushtetuese kur ka dyshime se mund të cenohet rendi kushtetues. Ai që ka frikë dhe që shpreh kundërshtim ndaj dërgimit të ligjeve në Kushtetuese ka qëllime politike jo fisnike, të cilat nuk janë në interes të qytetarëve por të tij personalisht”, shkroi Hoti.
Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka përmendur Ligjin për Këshillin Prokurorial, atë për Zyrtarët Publikë dhe Ligjin për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, duke thënë se ë historinë 15 vjeçare të shtetit të Kosovës nuk mbahet mend që kaq shumë ligje të jenë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese.
“Krahas vullnetit dhe guximit për zbatimin e ligjit në fuqi kemi miratuar edhe ligje të tjera që do të jetësonin reformat e programit tonë qeverisës dhe ndryshimet për të cilat votuan qytetarët. Megjithatë, jo për rastësisë të tre këto ligje, bashkë me ligjin për masat e përkohshme mbrojtëse të furnizimin me produkte themelore, nëpërmjet të cilit synohej të parandaloj abuzimi me çmimet e produkteve bazë janë dërguar në Kushtetuese nga opozita. Në historinë 15 vjeçare të shtetit të Kosovës nuk mbahet mend që kaq shumë ligje të jenë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese. Kontestimi i tyre është përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë. /Reporteri.net/
Kurti: Kontestimi i ligjeve në Kushtetuese, përpjekje dëshpëruese e opozitës për paralizim reformash