I mandatuari nga LDK për kryeministër, Avdullah Hoti ka folur pas përmbylljes së marrëveshjes së koalicionit me AAK-në, derisa ka thënë se sot do të përmbyllen marrëveshjet edhe me partitë tjera.
Hoti ka thënë se është i kënaqur me marrëveshjen e arritur me AAK-në, e cila si bazë ka programin qeverisës të LDK-së, shkruan Reporteri.
“Ne sot i kemi përmbyllur bisedat me partnerët e koalicionit, kemi përmbyllur marrëveshjen me AAK dhe një pjesë të madhe të komuniteteve joshumicë. Besoj se shumë shpejt do të dalim para Kuvendit dhe ta formojnë qeverinë e re. Jam i kënaqur me marrëveshjen që kemi arritur me AAK dhe partnerët tjerë. Parimet e marrëveshjes janë programi i LDK-së. Rendi dhe ligji do të jetë mbi të gjitha. Në javët e para do ta sjellim për miratim në Kuvend programin qeverisës. Sa më parë që përmbyllet menjëherë do të procedohet në Kuvend”, ka thënë ai.
Hoti ka konfirmuar se edhe AKR do të jetë pjesë e Qeverisë së re, gjersa ka thënë se nuk e di ku ndodhet kreu i saj, Behgjet Pacolli.
“Nuk e di saktë ku është, po AKR do të jetë pjesë e Qeverisë”, u shpreh shkurti ai.
Hoti ka thënë se pret që të gjithë deputetët e LDK-së ta votojnë Qeverinë e udhëhequr nga ai, gjersa ka premtuar bashkëpunim me opozitën.
“Unë pres që të gjithë deputetët të respektojnë vendimet e Këshillit të LDK-së Jemi duke bërë përpjekje që të bëjmë një kabinet qeverisës për ti dalë vendit zot në këtë kohë pandemie, ju siguroj se do të ketë komunikim si asnjëherë më parë për të lejuar opozitën të luaj rolin korrektues ndaj qeverisë dhe për ta lejuar në përfshirjen e tyre në procese të mëdha siç është dialogu. Për aq ka sa ka shumicë parlamentare Kuvendi, nuk ka nevojë për zgjedhje”, përfundoi Hoti. /Reporteri