×
  • Lajme
  • Lajme / Ish-kryeministri i Kosovës

    Hoti: Kosova ka humbur shumë me moszbatimin e Marrëveshjes së Washingtonit

    Reporteri
    17 Dhjetor 2024 | 21:05

    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se Kosova ka humbur shumë për shkak të moszbatimit të Marrëveshjes së Uashingtonit gjatë katër viteve të fundit.

    Hoti tha se ky dokument, i nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, është me rëndësi strategjike për Shtetet e Bashkuara dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    “Nuk besoj që është humbë si rast. Ka humbë Kosova që nuk e ka zbatu gjatë këtyre katër viteve dhe pse kanë qenë zotimet e kësaj administrate. E respektojnë atë marrëveshje sepse është në interesin më të mirë strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për qasjen e tyre ndaj Ballkanit Perëndimor,” tha Hoti në emisionin CONTEXT në ATV.

    Ai tha se qeveria e ardhshme duhet ta marrë seriozisht këtë marrëveshje për të shmangur humbje të mëtejshme për vendin.

    Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump.

    Dy versione të dokumenteve për palën e Kosovës dhe atë të Serbisë, i kanë nënshkruar kryeministri i atëhershëm i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

    Zyrtarët amerikanë e vlerësuan marrëveshjen e Uashingtonit si një fillim të ri për Ballkanin Perëndimor.

    Kjo marrëveshje u zbatua vetëm pjesërisht.

    Në dokumentin e marrëveshjes parashiheshin edhe disa projekte infrastrukturore, përfshirë atë që quhet “Autostrada e Paqes”, Beograd-Prishtinë, si dhe përmendet edhe çështja e Liqenit të Ujmanit, që gjendet në territorin e Kosovës dhe prekë atë të Serbisë.

    Si rrjedhojë e kësaj marrëveshjeje Izraeli dhe Kosova shkëmbyen njohje të ndërsjellë, kështu që më 14 mars 2021, Kosova e hapi ambasadën e saj në Jerusalem /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!