×
  • Lajme
  • Lajme

    Manuali për organizimin e dasmave pritet të përgatitet këtë javë

    Reporteri
    26 Maj 2021 | 21:55

    Të premten pritet vendimi i Qeverisë së Kosovës që të lejohet organizimi i dasmave, të bëhet hapja e klubeve të natës e pishinave nga data 15 qershor.


    Kështu u tha pas takimit të mbajtur sot mes ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe përfaqësuesve të Odës së Hotelerisë e Turizmit të Kosovës.

    Përfaqësuesi i sallave të dasmave, Driton Hoti ka thënë për Telegrafin e manuali se si do të bëhet organizimi i dasmave do të jetë i gatshëm brenda kësaj jave, teksa mund të ketë ndryshime nëse ka përmirësim të situatës me pandeminë.

    “Ishte takim i mirë, ku pritet që sallat e dasmave të hapen më 15 qershor. Aty do të punohet me një manual i cili besoj se do të përgatitet dhe do të jetë i gatshëm brenda kësaj jave”, tha Hoti për Telegrafin.

    Hoti u shpreh se gjatë takimit kanë diskutuar edhe për mundësinë që të lirohen edhe më shumë masat, në bazë të ndryshimit edhe të situatës.

    “Gjithçka do të përgatitet në bazë të ditëve që do të punohet në grup punues. Do t’i vendosim të gjitha në letër e tu ofrojmë kolegëve tanë manualin me të cilin do të punohet gjatë muajit qershor kur fillon, me mundësi të ndryshimit të situatës për të mirë dhe të lirohemi edhe më shumë. Këto janë fjalët, kjo nuk është garanci, por janë fjalët që jemi në rrugë të mirë”, u shpreh ai.

    Ndryshe, drejtori i Departamentit të Estradës, Afrim Muqiqi pas takimit ka thënë se rreth 95 për qind të rekomandimeve që i kanë bërë, janë pranuar nga Ministria e Shëndetësisë.

    Ai theksoi se e papranueshme ka qenë që të lejohet organizimi i dasmave me nga 500 të ftuar dhe puna deri në ora 02:00 pas mesnate, për të cilët ai tha se është shumë normale.

    “Me datën 15 shpresojmë që të fillojmë. Ne i kemi dhënë manualet tona, në bazë të atyre që i kemi dhënë, 95% të tyre janë pranuar. Nuk është e pranuar të punohet deri në 2 të mëngjesit, që është normale. Nuk është e pranuar të kemi 500 të ftuar në dasma. Mos insistoni të merrni diçka që nuk mundemi të ju japim. Do të jetë një manual që i përshtaten momentit”, tha ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!