Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka zhvilluar një takim virtual me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ku morën premtime se do të vazhdojnë t’i mbështesin projektet në Kosovë, duke u përkushtuar edhe në sfidat afatgjate ekonomike, mbështetjen e sektorit privat dhe të tjera.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se BERZH-i mbetet një partner tepër i rëndësishëm i vendit tonë, pasi që sipas tij përkrahja dhe mbështetja e tyre në realizimin e projekteve zhvillimore të Kosovës, sipas tij është storie suksesi, shkruan Reporteri.net.
Po ashtu ka theksuar se prioriteti i Qeverisë së tij mbetet parandalimi dhe menaxhimi i situatës së krijuar me pandeminë COVID-19, pakon e rimëkëmbjes ekonomike dhe hapat e ndërmarrë nga institucionet e vendit në përmirësim.
Ky është postimi i tij i plotë:
BERZH-i mbetet një partner tepër i rëndësishëm i vendit tonë.
Bashkë me zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, zhvilluam sot një takim virtual me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me të cilët biseduam për bashkëpunimin e mirë ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it dhe avancimin e mëtejmë të tij.
Prioritet i Qeverisë mbete parandalimi dhe menaxhimi i situatës së krijuar me pandeminë COVID–19, pakon e rimëkëmbjes ekonomike dhe për hapat e ndërmarrë nga institucionet e vendit në përmirësimin dhe krijimin e një ambienti më të mirë të të bërit biznes.
BERZH-i mbetet një partner tepër i rëndësishëm i vendit tonë, ngaqë përkrahja dhe mbështetja e tyre e vazhdueshme në realizimin e projekteve tona zhvillimore është një storie suksesi, ndaj u jemi tepër mirënjohës për besimin dhe mbështetjen e dhënë.
Nga BERZH morëm premtime se do të vazhdojnë t’i mbështesin projektet në Kosovë, duke u përkushtuar edhe në sfidat afatgjate ekonomike, mbështetjen e sektorit privat, ndërtimin e strategjive të përbashkëta dhe të tjera.