×
  • Lajme
  • Lajme / LDK

    Hoti: Nga janari 2025, tatimi në pronë rritet deri në trefish

    Reporteri
    21 Tetor 2024 | 10:53

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nga janari 2025, tatimi në pronë rritet deri në shifra trefishore.

    Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka shkruar se barra tatimore do të rritet vecanërisht për pronat me vlerë të madhe, raporton gazeta online Reporteri.net.

    “Sipas ligjit të ri të tatimit në pronë, nga janari 2025 zbatohet norma progresive e tatimit në pronë, si në vijim: pronat me vlerë deri në 100,000 euro – norma minimale 0.10%, pronat me vlerë 100,000-500,000 euro – norma minimale 0.20%, pronat me vlerë 500,000-1,000,000 euro – norma minimale 0.30%, pronat me vlerë 1,000,000-5,000,000 euro – norma minimale 0.40%, pronat me vlerë mbi 5,000,000 euro – norma minimale 0.50%. Si rezultat, barra tatimore do të rritet veçanërisht për pronat me vlerë të madhe. Shikoni tabelën në vijim: prona me vlerë 1 mil euro ngarkohet me 2,400 euro tatim; prona me vlerë 5 mil euro ngarkohet me 18,400 euro tatim; prona me vlerë 10 mil euro ngarkohet me 43,400 euro tatim”, ka shkruar Hoti.

    Madje sipas tij, norma progresive e tatimit në pronë s’ka kuptim ekonomik, dersa i ka listuar “argumentet” e tij.

    “Norma progresive e tatimit në pronë nuk ka kuptim ekonomik për disa arsye. E para, ngarkesa tatimore në pronë është progresive për nga mënyra e llogaritjes – sa më e lartë vlera e pronës, aq më e lartë ngarkesa tatimore. E dyta, të hyrat e shtetit nga tatimi në pronë nuk kanë vetëm qëllime fiskale, pasi ato përdoren kryesisht për mbulimin e kostove të shërbimeve publike të lidhura me ato prona. E treta, të ardhurat që zotëruesi i pronës i ka përdorur për blerjen e pronës janë tatimuar më herët, ndërkaq të ardhurat që zotëruesi i pronës i gjeneron nga prona tatimohen si të hyra nga qiraja”, ka shkruar tutje Hoti.

    Njëherit, deputeti i LDK-së ka vlerësuar që përvojat ndërkombëtare nuk i rekomandojnë këto norma.

    “Përveç kësaj anomalie, ligji i ri i tatimon edhe tokat bujqësore të kultivuara, të cilat me ligjin paraprak ishin të liruara për të nxitur pronarët t’i kultivonin ato ose t’i jepnin në shfrytëzim. Përvojat ndërkombëtare nuk i rekomandojnë këto norma. Siç kanë vlerësuar disa organizata ndërkombëtare, këto ndryshime janë bërë pa asnjë analizë paraprake dhe pa konsultim me ata që preken nga ky ndryshim, në veçanti bizneset”, ka përfunduar Hoti.

    /Reporteri.net/,

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!