Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka thënë se Qeveria në pushtet ka tendencë për të vendosur kontroll mbi disa institucione që ai thotë se sipas Kushtetueses janë të pavarura.
Hoti ka përmendur disa institucione të cilat sipas tij kanë mbetur pa funksion.
“Banka Qendrore, Trusti, departamentet e Ministrisë së Financave dhe zgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit janë institucionet që kanë mbetur pa funksion. Qeveria po synon t’i vendosë nën kontroll”, është deklaruar Hoti.
Ai ka shprehur kritika edhe ndaj presidentes të Republikës së Kosovës e cila sipas Hotit që një vit nuk po e dekreton Kryeprokurorin e ri.
“Në tendencën për të vendosur kontroll mbi institucione, që sipas Kushtetutës janë të pavarura, ato institucione sot kanë mbetur pa funksion. Po shkoj me listën: Banka Qendrore, Trusti është pa bord, Kryeprokurori i Shtetit ka një vit që nuk emërohet me tendencë që nëpërmjet atij ligji për KPK-në që ishte kundër kushtetues të zgjidhet tjetërkush. Presidentja s’po e dekreton. ATK qe një vit e sa vepron pa drejtor. Thesari vepron pa drejtor. Inteligjenca Financiare vepron pa drejtor. Shpresoj të mbusheni mend se pasojat jemi duke i vuajtur të gjithë”, ka thënë Hoti.
Ndryshe, gjatë kësaj seance, pritet që kryeministri Albin Kurti t’i përgjigjet pyetjeve të deputetëve për punën dyvjeçare të qeverisë së udhëhequr prej tij.