Në ditën e punëtorëve, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka shprehur disa kritika ndaj qeverisë Kurti, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Sipas Hotit, në mandatin e kësaj qeverie është përgjysmuar anëtarësimi i punëtorëve në sindikata, dhe kjo siç thotë ai bazohet në pagesat të cilat janë ulur nga 1.9 milionë euro në vitin 2022 900 mijë euro në vitin 2023.
Postimi i plotë:
Përkujtim i fakteve në ditën e punëtorëve
Në mandatin e kësaj qeverie është përgjysmuar anëtarësimi i punëtorëve në sindikata. Kjo bazohet në pagesat zyrtare të anëtarësisë në sindikata, të cilat pagesa janë ulur nga 1.9 mil euro në vitin 2022 në rreth 0.9 mil euro në vitin 2023.
Kjo është pasojë e luftës që Qeveria e mashtrimit u ka shpallur sindikatave nga marrja e mandatit. Sot komunikimi i shtetit me sindikatat praktikisht është joekzistent.
Slogani “Drejtësi dhe punësim” ka qenë mashtrim i tipit të komunizmit, kur njerëzit mashtroheshin se do ketë barazi, por e përjetonin shtypjen dhe poshtërimin.