Delegacioni i Kosovës në krye me Avdullah Hotin kanë mbërritur qysh të hënën në Uashington, ku pritet që pas dy ditësh të dialogojnë me përfaqësuesit serbë në Shtëpinë e Bardhë.
Në takimin që do të mbahet të premten, më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri Avdullah Hoti do të jetë vetë i teti në delegacionin kosovar.
Ai po shoqërohet nga zv. kryeministrat Driton Selmanaj dhe Albulena Balaj, ministrat Selim Selimi dhe Arban Abrashi dhe shefja e kabinetit Ardita Dushi. Pjesë e delegacionit është edhe Koordinatori Shtetëror për Dialogun me Serbinë, Skënder Hyseni.
Dyfish më pak do të jetë numri i anëtarëve të delegacionit serbë të cilët tek nesër pritet të nisen për në Uashington, shkruan Reporteri.
Në krye të delegacionit serb do të jetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i shoqëruar nga Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq, Ministri i Financave, Sinisha Mali dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Marko Cadezh.
Të dy palët kanë theksuar se takimi do të jetë më shumë i karakterit ekonomik.
Ky është takimi i dytë i thirrur nga Uashingtoni. Një takim i planifikuar më 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rinisi në Bruksel më 16 korrik, 20 muaj pasi ishte ndërprerë. /Reporteri.net
.