×
  • Lajme
  • Lajme

    Hovenier: Asociacioni në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, assesi përsëritje e Republikës Srpska

    Reporteri
    01 Mars 2023 | 21:01
    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur lidhur me parashikimet që ShBA ka për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Hovenier tha se qëndrimi i ShBA-ve për themelimin e Asociacionit nuk ka ndryshuar, por se nuk përkrahin një asociacion që cënon shtetësinë e Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në deklarimin e tij, ambasadori amerikan theksoi se ShBA-të nuk mbështesin asociacion që bie ndesh me Kushtetutën ose vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Për më tepër, Hovenier tha se as që bëhet fjalë për një asociacion që i ngjan Republikës Serbe.

    “Dua të jem shumë i qartë dhe e kam thënë këtë shumë herë tashmë dhe me siguri do ta them prapë: Shtetet e Bashkuara nuk po i kërkojnë Kosovës që të bëjë diçka që shkel Kushtetutën e saj; Shtetet e Bashkuara nuk po i kërkojnë Kosovës që të bëjë diçka që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015; Shtetet e Bashkuara nuk mbështet dhe nuk do të mbështetë diçka që edhe veç një grimë mund t’i përngjajë Republikës Serbe”, deklaroi Hovenier në Debat Plus të RTV Dukagjinit.

    Sipas Hovenier, ShBA-të vazhdojnë të besojnë se themelimi i Asociacionit mbetet çështje kritike për Kosovën. Kësaj ia shtoi edhe faktin se ishte vetë Qeveria e Kosovës, që në vitin 2015, e nënshkroi asociacionin përmes Marrëveshjes së Brukselit.

    “Arsyeja përse mendojmë se kjo është kritike është se bashkësia ndërkombëtare, e veçanërisht Shtetet e Bashkuara, besojmë se ka nevojë që Kosova së pari aktualisht t’i përmbushë zotimet që i ka marrë, e AKSHS është zotim i marrë nga Qeveria e Kosovës përmes Marrëveshjes së Brukselit, por gjithashtu, besojmë se është thelbësore për përpjekjet efektive të qeverisë së Kosovës për të adresuar shqetësimet e komunitetit të vet entik serb. Ata kanë e kërkuar këtë”, tha ai. /Reporteri.net/.

    Hovenier: Nuk ma merr mendja se Asociacioni do të jetë gjëja e parë që do kryhet, por as e fundit jo

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!