×
  • Lajme
  • Lajme / Dita e Kushtetutës

    Hovenier: Jemi krenarë që jemi partnerë me popullin e Kosovës për të arritur vizionin e përcaktuar në Kushtetutë

    Reporteri
    09 Prill 2024 | 10:30

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka uruar Kosovën për përvjetorin e 16-të të Kushtetutës.

    Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që janë partner i popullit të Kosovës në vizionin e Kushtetutës.

    Ambasadori amerikan ka thënë se kosovarët e kanë përfshirë në kushtetutën e tyre vendosmërinë për të ndërtuar një të ardhme demokratike.

    “Gëzuar Ditën e Kushtetutës, Kosovë! Kosovarët e kanë mishëruar në kushtetutën e tyre vendosmërinë për të ndërtuar të ardhmen e Kosovës si vend i lirë, demokratik e paqedashës, që do të jetë atdhe për të gjithë qytetarët… Jemi krenarë për mbështetjen tonë teksa jemi partnerë me popullin e Kosovës për ta arritur vizionin e përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Hovenier. bëhet e ditur në një postim të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

    Sot bëhen 16 vjet që nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Miratimi i saj ishte një moment historik që shënoi fillimin e një epoke të re për Kosovën.

    Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të të njëjtit vit. Si akti më i lartë juridik në vend, Kushtetuta e Kosovës u garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

    Nëpërmjet Kushtetutës së saj, Kosova është definuar si një shtet i pavarur dhe sovran, me një sistem demokratik të qeverisjes dhe me respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si vlera themelore të shoqërisë. Kushtetuta e Kosovës gjithashtu mbron dhe promovon diversitetin kulturor dhe gjuhësor të vendit dhe siguron një ambient të sigurt dhe paqësor për të gjithë qytetarët e saj.

    Kushtetuta e Kosovës, e cila në pjesë të madhe rrjedh nga pakoja e Ahtisarit, i dha të drejta specifike minoriteteve që jetojnë në Kosovë.

    16 vjet pas miratimit të kushtetutës, Kosova vazhdon të përballet me sfida, por ka arritur të promovojë vlerat e saj kushtetuese, duke ndërtuar një shoqëri të lirë, demokratike dhe të hapur për të gjithë qytetarët e saj.

    Për këto vite Kushtetuta e Kosovës ishte amendamentuar disa herë. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!