Ambasadori Amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka përcjellur sonte për nga afër ndeshjen e Kosovës me Irlandën Veriore, ndeshje kjo që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Hovenier ka postuar fotografi nga stadiumi bashkë me liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, me ç’rast e uroi Kosovën për fitore teksa tha se e ka shijuar ndeshjen, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“E shijova lojën bashkë me shumë shokë nga Kosova, përfshirë Lumir Abdixhikun. Ne të dy preferojmë të mos vendosim kravata”, shkroi Hovenier në Twitter.
Enjoyed the game with many Kosovan friends, including @LumirAbdixhiku. We both prefer not to wear neckties. pic.twitter.com/pMbY5YBIei
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) June 9, 2022
I pranishëm në stadium ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai është parë duke festuar golat që Kosova shënoi dhe njëherit është shprehur i lumtur me lojën që Dardanët zhvilluan sonte.
“Mund të themi që përveq që s’kemi parë ndeshje kaq të bukur, nuk kemi shijuar as fitore kaq të këndshme. Nuk është i mjaftueshëm kapaciteti i stadiumit. Nëse vazhdojnë kështu të luajnë na duhet një stadium më i madh. Loja e sotme ka treguar që Kosova ka ekip të jashtëzakonshëm, i cili nuk do të kenaqet me pjesëmarrje, por me suksese më të mëdha”, tha Kurti në Klan Kosova.
Ndryshe, Kosova ka shënuar fitore sonte ndaj Irlandës Veriore. “Dardanët” shënuan tri gola, derisa pranuan dy. Kjo fitore i dedikohet legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrrit, i cili sot ka përvjetorin e katërt të vdekjes.
Ndeshja e radhës së Kosovës do të jetë kundër Greqisë, ku synon fitore për të dalë në krye të grupit. /Reporteri.net/