×
  • Lajme
  • Lajme

    Hovenier: Plotësisht e vërtetë se kemi pasur dallime serioze me Qeverinë Kurti

    Reporteri
    20 Dhjetor 2024 | 21:15
    Foto nga arkivi

    Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka përsëritur qëndrimin se përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës është i palëkundur.

    Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, populli i saj dhe qeveria amerikane e kanë mbështetur Kosovën, po e mbështetin dhe do ta mbështesin vendin.

    “E dini, dëshiroj të them se kjo pyetje bëhet shpesh. Më duket se shumë kosovarë duan të kenë ekuivalentin e vizitës te psikologu dhe të shtrirjes në një divan dhe të një seance psiko-analitike. Por, dëshiroj t’i them disa gjëra. Njëra, përkushtimi i popullit të Shteteve të Bashkuara ndaj popullit të Kosovës është i vendosur dhe i palëkundur. Dhe populli i Shteteve të Bashkuara dhe qeveria amerikane e mbështesin Kosovën. E kemi mbështetur, po e mbështesim, do ta mbështesim”, tha Hovenier në Rubikon të Klan Kosovës.

    Hovenier, i cili këtyre ditëve e përfundon misionin në Kosovë, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur nganjëherë dallime serioze me Qeverinë Kurti, derisa theksoi se kur ka pengesa në bashkëpunim është më e vështirë që SHBA-të të jenë efektive në mbështetjen e tyre për Kosovën.

    “Është plotësisht e vërtetë që nganjëherë kemi pasur disa dallime, madje dallime serioze, me këtë Qeveri dhe mendoj se kjo ka pasur ndikim. Por kjo nuk është çështje e Shteteve të Bashkuara dhe e Kosovës, kjo është një çështje, do të thosha, e miqve të Kosovës. Pikërisht këtë javë, Bashkimi Evropian, Këshilli për Çështjet e Përgjithshme doli me konkluzionet e tij që gjithashtu folën për shpresat e tyre për Kosovën dhe çka shpresojnë dhe dëshirojnë të shohin”.

    “Shtetet e Bashkuara besojnë se populli i Kosovës më të vërtetë, përnjëmend dëshiron të integrohet në Evropë, t’i bashkohet Bashkimit Evropian, të anëtarësohet në NATO, të zërë vendin e tij në familjen e kombeve evropiane – edhe pse ju tashmë po e bëni këtë në shumë mënyra. Ne e mbështesim atë 100% dhe kemi qenë krah jush në përpjekjet tuaja për ta arritur atë”, tha Hovenier në Klan Kosova.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!