×
  • Lajme
  • Lajme

    Eliza Hoxha: UÇK-ja na bashkon të gjithëve pa dallim për drejtësi

    Reporteri
    02 Prill 2023 | 15:22

    Organizatorja e marshit “Marshojmë për Drejtësi”, Eliza Hoxha në marshin e 2 prillit, ka thënë se 24 vite më parë, Prishtina ishte shndrruar në një “qytet fantazmë”.

    “Si sot 24 vite më parë, Prishtina ishte shndrruar në një qytet fantazmë. Lumi i njerëzve të dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre nga ushtria dhe paramilitarët serbe kishte mësyer stacionin e trenit. Ai stacion, që ishte i mbyllur për më shumë se dhjetë vite, u hap atë ditë për të na dëbuar jashtë Kosovës, në një rrugë pa kthim. Po ne u kthyem, e këto sheshe u mbushën prap, për të festuar çlirimin dhe pavarësinë”, ka thënë Hoxha.

    “Si fotografe e re atëbotë, i mbajë mend shkrepjet e fytyrave me lot gëzimi kur të gjithë bashkë, shënonim ato fitore të mëdha. E këto fitore epokale, do të ishin të pamundur pa guximin, luftën dhe vetëmohimin e pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë këtyre dy javëve, anë e kënd Kosovës, bashkë me Ismajlin e kam rijetuar historinë tonë”, ka thënë tutje Hoxha.

    Hoxha ka shtuar se këtë e ka ndjerë në dhimbjen e nënës Ferdonije, në guximin e Shyhretës dhe Vasfijes, në stoicizmin e Fahrije Hotit, dhe në qëndresën e bacës Shaban.

    “E kam ndjerë në dhimbjen e nënes Ferdonije, në guximin e Shyhretes dhe Vasfijes, në stoicizmin e Fahrije Hotit, në qëndresën e bacës Shaban. E kam parë dhe ndjerë sa e gjallë dhe sa e hapur vazhdon të jetë plaga jonë, dhe thirrja për drejtësi”, ka theksuar Eliza Hoxha.

    Organizatorja e “Marshojmë për Drejtësi” ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrje në këtë marsh, duke shtuar se UÇK na bashkon.

    “Të gjithëve. Pa dallim. Thirrja për drejtësi na bashkon. E unë jam e bindur se ky shesh do të buçojë sërish, në ditën e kthimit të luftëtarëve tanë”, ka shtuar ndër të tjerash ajo

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!