Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti për qëndrimin e tij, për siç thotë ai, ndarjen e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë nga integrimi evropian, përcjell Reporteri.net.
Hoxhaj përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se kjo i shërben Serbisë, sepse ia mundëson asaj anëtarësimin në BE pa e njohur Kosovën dhe pa marrëveshje obligative ligjore në dialog.
Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, tani deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj tha se qëndrimi i kryeministrit për të ndarë normalizimin nga integrimi evropian nuk i shërben Kosovës, por është çlirim i Serbisë.
“‘Duhet të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë’ – paska thënë Kurti! Qëndrimi i kryeministrit për të ndarë normalizimin nga integrimi evropian nuk i shërben Kosovës, por është çlirim i Serbisë nga kushtëzimi evropian dhe në interes të Serbisë që ia mundëson asaj që edhe pa marrëveshje obligative ligjore dhe pa njohje të ndërsjellë, të mund të anëtarësohet në BE!”, ka shkruar Hoxhaj tutje.