×
  • Lajme
  • Lajme

    Hoxhaj: Qeveria Kurti po abstenon nga puna, kryeministri të zbres deri në QKUK e të shohë gjendjen reale të qeverisjes së tij

    Reporteri
    21 Prill 2021 | 10:59

    Ushtruesi i detyrës së kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mosprezantimin e planit qeverisës.


    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoxhaj ka thënë se kjo Qeveri po abstenon nga puna dhe përgjegjësia dhe nuk kanë asnjë vizion si të përballen me pandeminë, ekonominë dhe arsimin, shkruan Reporteri.net.

    Ai i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që të shkojë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku sipas tij, do ta shoh gjendjen reale të qeverisjes së tij.

    “Kurti edhe mund të mos i dijë këto informata nga terreni, por e ftoj dikë nga oborrtarët e tij që, nëse kanë guximin, t’ia hapin sytë me disa doza realiteti.”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

    U.d kryetari i PDK-së, po ashtu ka thënë se Kurti është fshehur prapa protokolleve dhe takimeve zyrtare, ndërsa thotë se nuk ka asnjë fjalë apo veprim konkret për t’u dalë në ndihmë qytetarëve në këtë periudhë të vështirë.

    Ky është postimi i plotë i Hoxhajt:

    1 muaj qeverisje pa plan!

    Po bëhen 1 muaj që kjo Qeveri ka marrë detyrën dhe ende nuk kanë prezantuar një plan qeverisës.

    Improvizime, manipulime, vendime të përçarta e asnjë vizion se si të përballen me pandeminë, ekonominë e arsimin, kjo Qeveri po abstenon nga puna dhe përgjegjësia. Albin Kurti është fshehur prapa protokolleve dhe takimeve zyrtare, me ata që dikur veturave të tyre ua fuste flakën, ndërsa as edhe një fjalë apo veprim konkret për tu dalë në ndihmë qytetarëve në këtë periudhë të vështirë.

    E për t’i mbuluar të gjitha dështimet, Kurti nisi edhe luftën dhe përndjekjen e mediave të cilat guxuan të flasin për keqqeverisjen e tij.

    Kryeministri të zbresë deri në QKUK, ku sot mungojnë shumica e barnave esenciale, se për vaksina të mos flasim, e të shohë gjendjen reale të qeverisjes së tij. Qytetarët, të cilët përveç problemeve shëndetësore, po sfidohen edhe ekonomikisht duke blerë gjithçka nga ilaçet dhe materialet shpenzuese.

    Kurti edhe mund të mos i dijë këto informata nga terreni, por e ftoj dikë nga oborrtarët e tij që, nëse kanë guximin, t’ia hapin sytë me disa doza realiteti.

    /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!