×
  • Lajme
  • Lajme / Dokument

    Hulumtimi i gazetës Reporteri, pezullohet njëri lot i tenderit që dyshohet se u kurdis për dekorimin e Prishtinës

    Reporteri
    25 Dhjetor 2024 | 19:49

    Pas hulumtimit të Reporteri.net, lidhur me dyshimet për kurdisje të tenderit për dekorimin e kryeqytetit, Komuna e Prishtinës e ka pezulluar njërin lot të këtij tenderi.

    Vendimi është marrë dje, teksa publikimi i tij në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publilk, është bërë pas përfundimit të orarit të punës, disa orë pasi gazeta online Reporteri.net publikoi hulumtimin.

    “PEZULLOHET aktiviteti i prokurimit me titull: “DEKORIMET VERORE, DIMËRORE DHE SHËNIMI I DATAVE ME RËNDËSI – RITENDER – LOTO1”, me nr të prokurimit 616-24-8967-2-1-1, Autoriteti kontraktues  – Komuna e Prishtinës do të shqyrtoj kërkesën për rishqyrtim të operatorit ekonomik: “AGRIBAU” SHPK. Të datës 23.12.2024, brenda afatit prekj tri ditëve të punës i cilia fat në raste specifike të justifikuara mund të zgjatet për jo më shumë se tri ditë shtesë për çka do të informohet ankuesi”, thuhet në vendim.

    Reporteri.net ka raportuar dje se tenderi që ka dhënë Komuna e Prishtinës për dekorimin e kryeqytetit me rastin e festave të fundvitit, gjatë verës dhe shënimin e datave me rëndësi, dyshohet të jetë “i kurdisur”.

    Disa nga dekorimet kryesore që janë specifikuar tek dosja e tenderit, veçse kanë qenë në depon e Kompanisë “Te Fatosi” që është shpallur fituese për të dy Lotet. Këto dekorime kanë qenë të ekspozuara vitin e kaluar në një prej qendrave tregtare në vend dhe në dyqanin e kompanisë në fjalë. Kjo dëshmohet edhe në faqet nëpër rrjete sociale edhe të qendrës tregtare në fjalë, por edhe të kompanisë “Te Fatosi”, ku janë postuar fotografi të këtyre dekorimeve të gatshme dhe vetëm është nevojitur transporti dhe vendosja e tyre në sheshet e kryeqytetit.

    Dyshime se u kurdis tenderi për dekorimin e kryeqytetit, kompania fituese dekoret kryesore i kishte të ekspozuara qysh vjet

    Kompania “AGRI BAU”, e cila është ankuar, e kishte fituar fillimisht këtë lot. Mirëpo, tenderi ishte pezulluar pas ankesës që kishte dorëzuar në OSHP kompania “Te Fatosi”.

    Kjo kompani e kishte tërhequr ankesën më pas.

    “Operatori ekonomik “Te Fatosi SH.P.K”, me datën 27.11.2024, përmes platformës elektronike ka njoftuar se tërhiqet nga ankesa lidhur me aktivitetin e prokurimit Ritender – Dekorimet verore, Dimërore dhe shënimi i datave me rëndësi me numër të prokurimit 616-24-8967-2-1-1””, thuhej në vendimin e OSHP’së.

    Tri javë pas tërheqjes së ankesës, Komuna e Prishtinës e kishte shpërblyer këtë kompani me kontratë edhe për Lotin 1, që dje është pezulluar.

    “Autoriteti kontraktues Komuna e Prishtinës shpërblen me kontratë Operatorin Ekonomik “Te Fatosi” SH.P.K, 810326430, në bazë të kriterit Tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të lirë prej 139,630.00 E”, thuhet në vendim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!