×
  • Lajme
  • Lajme / Kritika ndaj pushtetit

    Hykmete Bajrami e LDK-së: Korrupsioni po vazhdon, vetëm dje u nënshkruan 4 kontrata njëburimore, mbi 600 mijë euro

    Reporteri
    01 Qershor 2024 | 13:27
    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka vazhduar edhe sot kritikat ndaj pushtetit, duke thënë se korrupsioni po vazhdon dhe se vetëm dje Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka publikuar 4 kontrata njëburimore në shumë prej 683 mijë euro, shkruan Reporteri.net.

    Ajo tutje thotë se korrupcioni duhet të dënohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë.

    Postimi i saj i plotë:

    Vazhdon korrupcioni – vetëm dje Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka publikuar 4 kontrata njëburimore në shumë prej 683 mijë euro. Pra, 683 mijë euro brenda një ditë të vetme!

    Dje, dite premte 31 Maj 2024, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik publikoi katër kontrata njëburimore/kontrata të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë si në vijim:

    1. ⁠Korporata Energjetike e Kosovës: Ruajtja dhe sigurimi i objekteve të KEK-ut, për dy muaj (qershor-korrik 2024), shuma 448,251.13 euro.

    2. Korporata Energjetike e Kosovës: Transport i punëtorëve të KEK-ut, për muajin Qershor-Korrik 2024, shuma 152,884.56 euro.

    3. Punë shtesë Ri-tender/ndërtimi i 11 shtëpive në pjesën veriore të Kosovës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, shuma 63,725.72 euro.

    4. ⁠Punë shtesë Ri-tender/renovimi i 4 shtëpive në pjesën veriore të Kosovës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, shuma 18,225.30 euro.

    Korrupcioni duhet të ndëshkohet, në ekonominë e tregut askush s’ka të drejtë që në sektorë ku ka konkurrencë të negociojë kontrata me një kompani. Kjo është në kundërshtim me nenin 10 të Kushtetutës, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, respektivisht është keqpërdorim i detyrës zyrtare, dëmtim i buxhetit të shtetit – është KORRUPCION.

    Korrupcioni duhet të dënohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!