×
  • Lajme
  • Lajme / Në komente në Facebook

    “Mos i ngatërro gjërat”, “Ia ke huqë me krejt ligjet”, përplasen Haxhiu e VV-së e Bajrami e LDK-së

    Reporteri
    15 Mars 2025 | 9:24

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetja e zgjedhur të LDK-së, Hykmete Bajrami, janë përplasur virtuliasht përmes komenteve në Facebook, shkruan Reporteri.net.

    E gjitha nisi pasi deputetja e zgjedhur e LDK-së, të premten përmes një postimi që bëri në Facebook pyeti nëse kryeministri Albin Kurti dhe kabineti qeveritar do të japin dorëheqje bazuar në Ligjin për Qeverinë ku thuhet se të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar duhet të japin dorëheqje nga pozitat e tyre para se të certifikohet rezultati i zgjedhjeve.

    Bajrami i quajti amatera, qeverinë në detyrë.

    Ndaj këtij postimi të Bajramit reagoi ministrja në detyrë Haxhiu e cila përmes një postim në Facebook i tha deputetes të zgjedhur të LDK-së, se shpallja e rezultateve dhe certifikimi janë procese të ndara dhe të ndryshme.

    “Hykmete, mos i ngatërro gjërat si zakonisht. Shpallja e rezultateve dhe certifikimi janë procese të ndara dhe të ndryshme. Nesër mund të bëhet shpallja e rezultateve, jo certifikimi”, shkroi Haxhiu.

    Këtu nisi edhe përplasja e tyre në rubrikën e komenteve poshtë postimit të Haxhiut.

    Deputetja e LDK-së i tha Haxhiut se nuk e merr seriozisht, shkruan Reporteri.net.

    “Albulenë ty të marrë seriozisht veç kur të përgjigjesh në këtë video, përndryshe komentet tua pa ditë çka kam shkru, duke lexu vetëm tituj nuk i marr seriozisht”, i shkroi Bajrami, derisa i bashkëngjiti një video ku ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka, ku shpjegonte disa çështje kushtetuese.

    Nuk vonoi dhe Haxhiu i reagoi në koment Bajramit, duke i thënë pasi të kërkon falje për huqjen do t’i përgjigjet.

    “Hykmete N. Bajrami Pasi të kesh kërkuar falje për huqjen do të mund të përgjigjem”, i replikoi Haxhiu.

    Bajrami sërish i reagoi duke i thënë se nuk ia ka huq.

    “Albulena Haxhiu ku ja kam huqë, kqyre Ligjin, qysh e ke shkru. Unë kam thënë nëse rezultatet certifikohen nesër duhesh me dhanë dorëheqje sonte. A e kupton fjalën ”nëse”? Me siguri jo, se kështu ja ke huqë me krejt ligjet që 4 vite”, iu kundërpërgjigj Bajrami.

    Dhe Haxhiu reagoi sërish, por krejt çka i shkroi ishte, “Hykmete N. Bajrami natën e mirë 🙂”.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!