Hysamedin Feraj i Vetëvendosjes i quan “ish-shqiptarë” ata që duan që Kosova të mos i bashkohet Shqipërisë

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hysamedin Feraj, ka ndërhyrë ashpër në debatin për shtetndërtimin e Kosovës. Ai i ka quajtur “roje të kufirit” dhe “ish shqiptarë” të gjithë shqiptarët e Kosovës që besojnë se Kosova duhet të qëndrojë si shtet i pavarur dhe të mos i bashkohet Shqipërisë.


Feraj, i cili vazhdon të jetë mbështetës i paepur i një shteti njëetnik, ka thënë se “Shenjtërimi i kufijve te vendosur në Londër me 1913 është shenjtërim i pushtimit të Kosovës nga Serbia”.

“Ai pushtim shenjtërohet nga kushdo që flet edhe sot për ndërhyrje të Kosovës “në punët e brendshme” të Shqipërisë, ose për ndërhyrje të Shqipërisë “në punët e brendshme” të Kosovës”, ka shkruar ndër tjerash Feraj.

Aktivisti nga Shqipëria që shquhet si mbështetës i politikës staliniste të komunistit Enver Hoxha, nuk ka arritur të bëhet deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, ndonëse kishte numër të “mirë” në listën e kandidatëve për ta fituar një mandat në Kuvendin e Kosovës. Ai renditej i 27-i.

Postimi i plotë i Hysamedin Ferajt:

Rojet e kufirit:

Shenjtërimi i kufijve te vendosur në Londër me 1913 është shenjtërim i pushtimit të Kosovës nga Serbia.

Ai pushtim shenjtërohet nga kushdo që flet edhe sot për ndërhyrje të Kosovës “në punët e brendshme” të Shqipërisë, ose për ndërhyrje të Shqipërisë “në punët e brendshme” të Kosovës.

Brenda ndërgjegjes kombëtare nuk ka “ne” dhe “ata”, sipas kufijve të 1913-ës.

Brenda kombit nuk ka shqiptar që mund të qortohet se po ndërhyn në punët e brendshme… Të kombit të vet?!

Pavarësisht ku jeton, në Kosovë a në Shqipëri, në SHBA apo në Kroaci, dhe pavarësisht posteve politike, civile, apo mungesës së tyre, çdo anëtar i kombit shqiptar është i brendshëm për të, me të drejta dhe detyrime të plota e të barabarta.

II.

E padrejtë është ndërhyrja në punët tona të brendshme nga ata që kanë hequr dorë nga përkatësia në kombin shqiptar dhe e shohin veten si të huaj.

– Vetëm ata që e kanë nxjerrë veten jashtë kombit shqiptar mund ta formulojnë “mendimin” absurd: “ndryshimet në Shqipëri nuk vijnë nga jashtë”, kur në lëvizjen ndryshuese marrin pjesë shqiptarët jashtë kufijve të 1913-ës, apo të degdisur nëpër botë edhe saje rojtarëve të atyre kufijve.

– Vetëm rojtarët e kufijve të 1913-ës u këshillojnë politikanëve shqiptar ta shohin coptimin e trojeve shqiptare si dhuratë të dhënë nga pushtuesit serbë, që “të punojë secili në kopshtin e vet”!

Mos duhet që secili t’i shoh edhe pjesën përkatëse të shqiptarëve si argatët e vet të dhuruar nga Serbia?!

– Sigurisht, si çdo i huaj, edhe të tëhuajësuarit nga kombi shqiptar kanë të drejtën të na japin këshilla. Por ne e kemi edhe më shumë të drejtën t’i refuzojmë këshillat e tyre për shenjtërimin e padrejtësisë serbe ndaj nesh.

III.

Rojtarët e sotëm të kufirit të 1913-ës duan ta thellojnë padrejtësinë e vendimit të atëhershëm:

– Në Londër u imponua fizikisht ndarja fizike e trojeve dhe e kombit shqiptar.

Në vendimet e Londrës nuk gjendet detyrimi për përbrendësimin në ndërgjegjen tonë të atyre kufijve.

– Futja e atij kufiri në ndërgjegjen e shqiptarëve (asimilimi) ka qenë e mbetet dëshirë dhe praktikë politike e shovinizmit serb dhe e serbofilëve shqiptarë.

– Rojtarët e kufirit të 1913-ës duan që ndërgjegjja jonë të udhëhiqet nga ai kufi si kriteri i drejtë për çka na lejohet ta mendojmë si të drejtë apo të padrejtë, për çka na lejohet me të drejë të bëjmë a të mos bëjmë, për si çka na lejohet apo na ndalohet ta mendojmë veten dhe veprimin tonë politik.

– Londra e njohu atë kufi si e drejtë dhe shpërblim i fituesit të luftës.

– Ndërsa ish-shqiptari që e ka përbrendësuar në ndërgjegjen e vet atë kufi, e ka përbrendësuar tashmë si e drejtë e ndërgjegjes ose e arsyes drejtësinë e pushtimit serb të Kosovës në luftërat ballkanike të vitit 1912.

Prandaj, i bindur se arsyeton drejtë, na kërkon edhe ne që ndërgjegjja jonë dhe veprimet që burojnë prej saj të udhëhiqen nga e drejta: nga kufiri i 1913-ës! Ndër të tjera edhe si kriteri i të qenit “i jashtëm” apo “i brendshëm” për ne dhe veprimin tonë politik.

Mirëpo, për viktimën e luftë serbe, që ishim ne, ai kufi ka qenë dhe mbetet i padrejtë. Madje në rrafshin e arsyes, të tillë e cilësoi vetë kryetari i Konferencës së Londrës, sir Edward Gray.
(botuar dje, në Rrugapress)