Kushtrim Zogaj, i akuzuar në rastin e njohur si “Subvencionet 1”, gjatë denjës së mbrojtjes së tij të hënën në Gjykatën Themelore të Prishtinës tha se nuk e di pse është i përfshirë në këtë rast.
I pyetur nga mbrojtësi i tij, avokati Granit Vokshi, i akuzuari Zogaj tha se përveç se nuk e di përse është përfshirë në këtë rast ai nuk kishte pasur asnjë përfitim.
“Kom perfitu vuajtje, maltretim qe 4 vjet, pa i marr kujt 1 cent”, tha Zogaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori special, Rafet Halimi e ka përballur të njëjtin me deklaratat e dhënë në Prokurori dhe Polici.
“Po deklaratën që e kam dhënë në prokurori ka qenë një deklaratë të cilën e kam dhënë pas 12 muajve në paraburgim, ku në atë kohë u kanë e vetmja shpresë apo e vetmja zgjidhje për me dalë nga paraburgimi”, tha Zogaj.
Ai tha se i vjen keq që në këtë situatë e kishte përfshirë edhe Sedat Shkodren.
Në seancën e sotme ishte planifikuar dhënia mbrojtjes së të akuzuarit Musa Nivokazi, i cili deklaroi se dëshiron të shfrytëzoj të drejtën e mbrojtjes në heshtje.
Në shkurt të 2022-ës, PSRK kishte ngritur aktakuzë ndaj 21 të pandehurve, në rastin “Subvencionet 1”, të cilët janë: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Habibe Dauti, Alban Bushati, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Salih Kelmendi, Bekim Shala, Fuat Morina, Dukagjin Mavraj, Flamur Zeqiri, Daut Kabashi, Kastriot Berisha, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj.
Ndryshe, në seancën e 21 shkurtit 2023, trupi gjykues kishte veçuar procedurën për të akuzuarit Nivokazi dhe Kelmendi, duke shtuar se gjykata në seancës e radhës do të vlerësojë nëse procedura do të vazhdohet ndaras apo do të bashkohet.
Ndërkaq, në seancën e 14 prillit 2023, ishte bashkuar procedura penale ndaj të akuzuarit Nivokazi me të akuzuarit e tjerë.
Në seancën e 13 prillit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për 7 nga 21 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”.
Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.
Sipas aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së, të 4 prillit 2022, Flamur Zeqiri, Bekim Shala, Kastriot Berisha dhe Dukagjin Mavraj, akuzoheshin për veprën penale mashtrim me subvencione, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohej Habibe Dauti, për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve akuzohej Alban Bushati, ndërsa për dhënie ryshfeti akuzohej Daut Kabashi.
Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodrën, Salih Statovcin, Berat Nikën, Hasan Maxharrajn, Kushtrim Zogajn, Jeton Sylajn, Lulzim Hajdarajn, Musa Nivokazin, Almir Abdurrahmanin, Salih Kelmendin, Fuat Morinën, Afrim Abazajn dhe Florim Nimanajn me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera.