Hysri Selimi, është arrestuar sot si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Spinuazhi”.
Për arrestimin e tij njoftoi sot Prokuroria Speciale, e cila tha se aksioni dhe arrestimi është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, si dhe asistencën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
I arrestuari Hysri Selimi ishte gjykuar nga drejtësia kosovare për veprën e terrorizmit dhe se kishte qenë pjesë e organizatës ISIS, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Në vitin 2022, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër tij për veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.
Ai akuzohej se më 23 nëntor 2015, me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake së bashku me bashkëshorten e tij dhe vajzën e mitur kishte lëshuar territorin e Kosovës përmes Aeroportit Ndërkombëtarë “Adem Jashari” në Prishtinë, për të udhëtuar për në Stamboll-Turqi dhe përmes lidhjeve të caktuara ka depërtuar në Siri me qëllim që t’i bashkëngjitet Organizatës terroriste ‘’ISIS’’ e cila në këto vende ka qenë duke luftuar ku edhe është angazhuar si pjesëtarë i ‘’ISIS-it’’, si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur nën administrimin e ‘’ISIS-it’’, është financuar nga ‘’ISIS’’ me shumën e të hollave prej nga 100 dollar në muaj duke bashkëpunuar edhe me eprorë dhe luftëtarë të ‘’ISIS-it’’.
Sipas prokurorisë, i njëjti në këtë organizatë terroriste ka qenë i angazhuar në Byronë e ushtarëve të plagosur, dhe për këtë funksion është financuar nga ISIS me shumën e të hollave prej 100 USD në muaj.
Hysri Selimi ishte riatdhesuar në Kosovë më datë 28 maj 2022. Pos tij, autoritetet kosovare e kishin gjykuar edhe dënuar me kusht edhe gruan e tij, pas riatdhesimit në Kosovë. /Reporteri.net/.