×
  • Lajme
  • Lajme / Lajmi i fundit

    I biri i Sami Lushtakut e konfirmon lirimin, tregon se i është konfiskuar telefoni

    Reporteri
    08 Mars 2024 | 22:35

    Ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku është liruar pas ndalimit nga EULEX.

    Lajmin për gazetën online Reporteri.net e ka konfirmuar i biri i tij, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku. Ai  ka thënë se babait të tij është konfiskuar vetëm telefoni.

    “Po tash sapo është liruar. I është ndalur telefoni pa asnjë arsye. Nuk ka pasur asnjë njoftim paraprak. Ka qenë në një takim., Pas takimit e kanë ndaluar”, tha Mërgim Lushtaku.
    Sipas tij kjo mënyrë e ndalimit është shumë shqetësuese.

    “Është shqetësuese sepse duhet pasur një rregull pse është ndaluar por jo vetëm pse kanë mundësi ta ndalin”, tha ai.

    Ftesa e Lushtakut në zyrat e EULEX-it ka ndodhur vetëm një ditë pasi Prokuroria Speciale bastisi shtëpinë e ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimit.

    Avokati i Selimit, Artan Qerkini të enjten ka konfirmuar bastisjen në shtëpinë e Selimit.

    Qerkini ka thënë para mediave se Selimi nuk e ka statusin e personit të dyshuar, por se bastisja është kryer meqë mendohet se në shtëpinë e tij mund të ketë pasur prova që ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë.

    “Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është bastisur shtëpia e z.Sylejman Selimi. Fillimisht vlen të theksohet se ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar, por sipas urdhërit të gjykatës mendohet se në shtëpinë e tij mund të ketë pas prova që ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë”, ka thënë Qerkini para gazetarëve të enjten.

    Në fund të vitit të kaluar, Specialja pati zhvilluar një seri bastisjesh ndaj ish-këshilltarëve të presidentit Hashim Thaçi, si Blerim Shala dhe Artan Behrami.

    Në Gjykatën Speciale aktualisht janë duke u zhvilluar disa gjykime ndaj ish-eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deri më tani, gjykata ka dënuar ish-eprorin e UÇK-së, Salih Mustafa me 22 vjet burgim për krime lufte si dhe janë shqiptuar dënime për pengimin e drejtësisë për dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!