×
  • Lajme
  • Lajme

    I dënuar me burgim me kusht për mos deklarim të pasurisë, Sokol Bashota pjesë e Kryesisë së PDK-së

    Reporteri
    05 Gusht 2021 | 18:33

    Sokol Bashota, ish-kryetar i Klinës, është bërë zyrtarisht pjesë e Kryesisë së re të PDK-së.


    Bashota, që dikur ishte pjesë e rëndësishme e PDK-së e kryetar për disa mandate i komunës së Klinës, është i dënuar nga Gjykata themelore në Pejë (dega në Klinë) për mos deklarim të pasurisë.

    Bashota u dënua me burgim me kusht nga 6 muaj në afat verifikimi prej 1 viti, si dhe me nga 1,200 euro gjobë.

    Sipas aktakuzës, Sokol Bashota akuzohet se nuk i ka deklaruar fare veturën “BMË X5”, në vlerë prej 65 mijë euro dhe as banesën prej 79 metrash katrorë në Prishtinë, edhe pse e ka pasur për detyrë ta bënte një gjë të tillë.

    Bashota po ashtu akuzohet se nuk i ka deklaruar as veturën “Jeep” dhe as të ardhurat vjetore 3.000 euro në muaj nga qiraja e banesës.

    Megjithatë, Bashota nga sot do të jetë pjesë e kryesisë së PDK-së, të cilën parti e udhëheq Memli Krasniqi, që u zgjodh kryetar në korrik të këtij viti.

    Kujtojmë që Bashota ditë më parë u nominua nga PDK si kandidat për Klinë në zgjedhjet lokale që mbahen në tetor të këtij viti.

    Nënkryetarë të PDK-së janë Vlora Citaku, Ramë Buja, Enver Hoxhaj dhe Uran Ismaili.

    Ndërkaq, anëtarë janë: Bernard Nikaj, Donika Shahini, Jakup Nura, Bekim Çollaku, Nexhat Demaku, Evgjeni Thaci-Dragusha, Sokol Bashota, Besa Kabashi Ramaj, Adri Nurellari, Rashit Qalaj, Zenun Pajaziti, Valdete Idrizi, Betim Gjoshi, Fehmi Mujota, Petrit Hajdari, Luljeta Veselaj-Gutaj, Blerand Stavileci, Muzafer Shala, Muhamet Haliti, Kujtimi Gashi, Safete Hadergjonaj, Donjet Bislimi. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!