×
  • Lajme
  • Lajme / Kronikë

    I dyshuari për plagosjen në Gjakovë, pak para rastit shoqërohej me zëvendëskomandantin e Policisë

    Reporteri
    10 Mars 2024 | 12:04

    Në orët e para të mëngjesit si pasojë e të shtënave me armë në një lokal në rrugën “Fan Stilian Noli” në Gjakovë kanë mbetur të plagosur tre persona.

    Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se i dyshuari për këtë rast është Shkelzen Ahmeti, që aktualisht ndodhet në arrati.

    Ahmeti, pak kohë para kësaj ngjarje me të plagosur kishte qenë në një lokal tjetër me një grup personash. Në mesin e tyre ashtu siç shihet në fotografinë e publikuar nga vetë ai në Facebook, është edhe zëvendëskomandanti i Policisë rajonale të Gjakovës, Ramë Bekaj.

    Poashtu, në të njëjtën fotografi, shihet të jetë i pranishëm edhe ish-luftëtari i UÇK-së, Nasim Haradinaj.

    Rastin për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar sot edhe  zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili ka bërë të ditur se Policia ka marrë informatën rreth orës 00:10.

    Tutje ai ka thënë se gjendja e të plagosurve është stabile dhe po punohet në drejtim të zbardhjes së rastit, derisa rasti është iniciuar “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pautorizuar të armëve”.

    “Sot rreth orës 00:10 kemi pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri në një lokal në rrugën “Fan Stilian Noli” në Gjakovë, ku për pasojë tre persona (meshkuj të moshës madhore) kanë marrë plagë, të cilat dyshohet të jenë shkaktuar nga armë zjarri. Policia menjëherë ju ka përgjigjur rastit dhe viktimave ju është ofruar trajtim mjekësor, nga informatat e para të pranuara, gjendja e tyre shëndetësore është stabile. Aktualisht jemi duke kryer procedurat e nevojshme hetimore në drejtim të zbardhjes së rastit dhe kapjen e të dyshuarit. Në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi , kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, tha Elezaj.

    Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se të plagosur në këtë rast kanë mbetur pronarët e lokalit ku dhe ka ndodhur plagosja.

    Shkelzen Ahmeti përgjatë viteve 2016-2017 ishte vënë në pranga nga Policia e Kosovës. Kjo, pasi që në cilësinë e zyrtarit të Gjendjes Civile në Gjakovë bashkë me një ish-zyrtar tjetër kishte tjetërsuar identitetin e një personi.

    Për falsifikim të dokumenteve, Gjykata Themelore në Gjakovë e dënoi Ahmetin më 2020-ën me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit u zëvendësua me gjobë në shumë prej 4 mijë euro./Reporteri.net/

    Të shtëna me armë zjarri në një lokal në Gjakovë, plagosen tre persona

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!