×
  • Lajme
  • Lajme

    I infektuari i fundit me koronavirus në Prizren është doganier, nesër testohen familja dhe kolegët e tij

    Reporteri
    11 Prill 2020 | 15:10

    Mbrëmë është konfirmuar edhe një rast i ri me koronavirus në Prizren. I infektuari është një punëtor i Doganës së Kosovës në kufirin e Kosovës dhe Shqipërisë në Vërmicë.


    Drejtori për Shëndetësi në këtë komunë, Visar Shehu i ka thënë Gazetës Express se sot janë marrë mostrat e katër zyrtarëve doganorë me të cilët ka pas kontakt i infektuari.

    Ai ka treguar se nesër do të testohen edhe pesë zyrtarë të tjerë doganorë dhe familja e të infektuarit.

    “Po, personi i fundit i infektuar është një zyrtar doganorë. Sot IKSHP’ja i ka marrë mostrat e katër zyrtarëve doganorë, derisa nesër pritet që të merren edhe mostrat e pesë zyrtarëve të tjerë dhe familjes së të infektuarit”, ka thënë Shehu

    Ndryshe, mbrëmë janë konfirmuar edhe 23 raste të reja me koronavirus, duke bërë kështu që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 250.

    Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë me dije se rastet e konfirmuara janë raste kontakti nga Ferizaj, Vitia, Hani i Elezit, Prizreni dhe Prishtina.

    IKSHP’ja ka njoftuar edhe për shërimin e 14 pacientëve të tjerë.

    “Rastet pozitive janë raste kontakti, tetëmbëdhjetë (18) raste nga komuna Ferizaj (8 Sazli, 3 qytet Ferizaj, 2 Mirash, 1 Varosh, 1 Greme, 1 Talinovc i Muhaxherëve, 1 Neredime dhe 1 Lloshkobare), 2 raste Viti, 1 rast Hani i Elezit, 1 rast Prizren dhe 1 rast Prishtinë. Sot më 10 prill 2020, janë të shëruar edhe katërmbëdhjetë (14) pacient, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej pesëdhjetë e dy (52)”, thuhet në njoftim.

    Sipas IKSHP’së, që nga data 8 shkurt e deri mbrëmë janë testuar 2 mijë e 876 mostra dhe se janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4 mijë e 176 kontakte të rasteve.

    “Nga data 08 shkurt deri më 10 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.876 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej dyqind e pesëdhjetë (250) me 7 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, njofton instituti.

    Deri tani, betejën me koronavirusin e kanë humbur shtatë persona, derisa janë shëruar 52 të infektuar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!