I plagosuri në ngjarjen tragjike të Gllogjanit i është nënshtruar operacionit për t’ia hequr plumbin nga trupi. Nga Spitali njoftojnë se operacioni është kryer me sukses dhe i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë.
Lidhur me këtë çështje ka folur edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ku tha se pacienti është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Kanë qenë në autobus në linjën e fundit duke u kthyer në shtëpitë e tyre. Pacienti është në gjendje të mirë shëndetësore dhe me aq sa jemi në njohur edhe organet e rendit janë duke bërë përpjekjet maksimale që krimineli të zihet sa më parë dhe të vihet para drejtësisë”, është shprehur Nagavci.
Policia e Kosovës i është përgjigjur rastit duke shkuar në vendin e ngjarjes.
I vdekur në vendin e ngjarjes kishte mbetur shoferi i autobusit që po i transportonte nxënësit.
Ndërkaq, të plagosur kishin mbetur edhe tre nxënës, ku dy prej tyre, vajzë dhe djalë të moshës 16-17 vdiqën në Spitalin e Pejës.
Lidhur me tragjedinë kanë reaguar eksponentë nga skena politike duke përfshirë edhe presidenten e shtetit, Vjosa Osmanin e kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ekipi i Institutit të mjekësisë ligjore është në vendin e ngjarjes dhe ky rast duhet të zbardhet sa më parë.
“Ekipi i Institutit të mjekësisë ligjore është në vendin e ngjarjes dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me institucionet. Ky rast duhet të zbardhet sa më parë dhe kriminelët duhet të përballen me drejtësinë”.
“Kam kërkuar nga Policia e Kosovës angazhim dhe mobilizim maksimal, me të gjitha njësitë dhe formacionet e nevojshme, në mënyrë që autori i këtij akti makabër të arrestohet sa më pare”, shkroi Sveçla.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë se shpreson që ky sulm të mos jetë terrorist.
“Një autobus që transporton nxënës me u gjuajt në një vend ku dy fëmijë të fshatit Gllogjan kanë gjetur vdekjen…Uroj që të mos jetë ndonjë sulm terrorist mirëpo uroj që këto raste të mos përsëriten kurrë në vendin tonë’, shtoi ai.
Megjithkëto ende nuk dihet ende autori e as motivet e sulmit që tronditi Deçanin mbrëmjen e së premtes.