Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka vlerësuar se qeverisja lokale po tregon efikasitet më të madh sesa niveli qendror, veçanërisht në realizimin e investimeve kapitale.
Sipas tij, realizimi i investimeve në komunat e Kosovës ka arritur në 82% të planifikimit, duke dëshmuar një performancë të lartë, ndonëse buxhetet kanë qenë të kufizuara.
Ai tha se ky model i menaxhimit buxhetor duhet të merret shembull edhe nga qeveria qendrore.
“Niveli lokal ka treguar se di të planifikojë dhe të zbatojë me sukses buxhetin, sidomos në investimet kapitale. Përkundër mungesës së mjeteve, komunat kanë arritur të kenë rezultate të dukshme pozitive”, theksoi Ibrahimi në një intervistë për T7.
Megjithatë, ai ngriti shqetësimin për barrën financiare që komunat po përballojnë për shkak të kontratës kolektive. Vetëm në vitin e kaluar, përmes procedurave përmbarimore, komunave u janë marrë mbi 60 milionë euro nga fondet për investime kapitale. Ndërsa këtë vit, në katër muajt e parë, kjo shumë ka arritur në mbi 45 milionë euro.
Sipas tij, shumë projekte kanë mbetur të papërfunduara pasi niveli qendror ka përdorur fondet komunale për të mbuluar obligimet e kontratës kolektive, pa ndonjë mbështetje konkrete për vetëqeverisjen lokale.
“Komunat do të kishin realizuar edhe më shumë investime nëse nuk do të ndodhte ky ndërhyrje arbitrare nga niveli qendror,” shtoi Ibrahimi.
Për vitin 2024, komuna me performancën më të ulët në investime kapitale ishte ajo e Leposaviqit, me vetëm 2% realizim, ndërsa disa komuna të tjera arritën realizim 100%.