×
  • Lajme
  • Lajme / Reagim

    IKD: Deputetët e Vetëvendosjes shkelën Kushtetutën me bojkotimin e seancave të jashtëzakonshme

    Reporteri
    17 Tetor 2024 | 10:20

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë shkelur Kushtetutën me bojkotimin e tri seancave të jashtëzakonshme të thirrura nga opozita.

    Përmes një reagimi në faqen e tyre zyrtare, kanë shkruar se shumica parlamentare, ka refuzuar të marrë pjesë në seancat e jashtëzakonshme, që sipas tyre, arsyet i kishin jolegjitime dhe jo të besueshme, raporton gazeta online Reporteri.net.

    “Opozita parlamentare në Kuvendin e Kosovës ka thirrur tre seanca të jashtëzakonshme për tema me interes publik si për qytetarët dhe për funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Përkundër interesit publik për debat parlamentar për çështjet e lartëpërmendura, shumica parlamentare, e përfaqësuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje!, ka refuzuar të marrë pjesë në seancat e jashtëzakonshme, pa asnjë arsyetim legjitim dhe të besueshëm. Ky bojkot përbën një shkelje të besimit të qytetarëve dhe detyrave dhe përgjegjësive si deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe si partia më e madhe parlamentare. Seancat janë thirrur për çështjet:”, thuhet në reagimin e IKD-së.

    -Debat Parlamentar për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, znj. Mimoza Kusari – Lila, me Milan Radojiçiç.
    -Debat Parlamentar për mungesën e ushqimit në Ushtrinë e Republikës së Kosovës;
    -Debat Parlamentar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit dhe mënyrën e shlyerjes së këtyre borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    Tutje, IKD ka vlerësuar që qasja e Vetëvendosjes është e pazakontë dhe cenon rëndë vlerat demokratike të Kosovës.

    Madje sipas tyre, debatet parlamentare janë shtyllë e rëndësishme e demokracisë dhe përfaqësimit demokratik, teksa kanë shtuar se bojkoti i seancave parlamentare dëmton jo vetëm dëmton integritetin e Kuvendit, por është edhe injorim ndaj qytetarëve të Kosovës.

    “Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shpreh shqetësim të thellë për këtë situatë dhe kërkon nga LVV të largohet nga rruga e bojkotit kundërkushtetues. Kjo praktikë dhe qasje e LVV është e pazakontë dhe cenon rëndë vlerat demokratike të Republikës se Kosovës. IKD konsideron se debatet parlamentare janë shtyllë e rëndësishme e demokracisë dhe përfaqësimit demokratik, deputetët e shumicës parlamentare e kanë obligim të marrin pjesë në mënyrë aktive në diskutimin e çështjeve që prekin interesat e qytetarëve dhe të shtetit. Bojkoti i seancave parlamentare dëmton jo vetëm integritetin e Kuvendit por edhe injorim ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet tutje në postimin e tyre.

    Ndër të tjerash, IKD ka thënë se janë të shqetësuar edhe për mungesën e Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, në drejtimin e këtyre seancave të jashtëzakonshme.

    “Bojkotimi i deputetëve për çështje ku kërkohet llogaridhënie dhe rezultate ndaj fenomeneve të korrupsionit qeveritar, ruajtjen e integritetit të institucioneve publike dhe sqarimit të situatave ku deputetë të Kuvendit të Kosovës komunikojnë me persona në kërkim ndërkombëtar për vepra penale kundër rendit kushtetues të Kosovës, ulin besimin e publikut në vullnetin politik për shtet ligjor dhe luftim te korrupsionit. Kjo qasje padyshim se pengon rrugën integruese të Kosovës në strukturat euro-atlantike. Po ashtu, IKD shpreh shqetësim për mungesën e vazhdueshme të Kryetarit të Kuvendit në drejtimin e këtyre seancave të jashtëzakonshme”, thuhet më tej.

    Në përfundim, IKD ka bërë thirrje që të gjitha partitë politike, pa dallim, të përmbushin detyrimet e tyre që rrjedhin nga Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme dhe obligimet ndaj qytetarëve dhe vlerave demokratike të vendit.

    Kujtojmë se deputetët e pushtetit bojkotuan seancën për komunikimet e Mimoza Kusari-Lilës me kryeterroristin Milan Radoiçiq, për mungesën e ushqimin në Forcën e Sigurisë (FSK) dhe për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit dhe mënyrën e shlyerjes së këtyre borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!