Në valën e debatit për ikjen e festivalit “Sunny Hill” nga Kosova, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka reaguar, duke thënë se sivjet kthehet një prej festivaleve më të mëdha në Kosovë “Hardh Fest”, pas dy viteve anulim si pasojë e pandemisë.
Latifi ka thënë se ka mbetur i zhgënjyer nga mos-mbjatja e festivalit Sunny Hill në Kosovë.
“Në Rahovec sivjet rikthehet një nga festivalet më të mëdha në Kosovë, Hardh Fest, pas anulimeve për shkak të pandemisë. Përkundër se jemi komunë relativisht e vogël, e kemi parë se kur ka vullnet, mund të bëhet një organizim i madh dhe i mirëfilltë që tërheq turistë nga e gjithë bota. Në këtë frymë, nuk kam se si të mos jem i zhgënjyer me mos mbajtjen e festivalit Sunny Hill në Kosovë për shkak të lojërave politike e burokratike!”, ka shkruar kryetari i Rahovecit.
Sipas tij, “qëllimi parësor i institucioneve është lehtësimi i jetës së qytetarëve dhe krijimi i infrastrukturës për organizime të tilla, aq më tepër që vijnë nga Dua Lipa, këngëtarja jonë me famë botërore.”
Ai ka kërkuar nga institucionet që të mos humben mundësi për organizime të tilla. Po ashtu, ai ka ftuar qytetarët në Konak të Rahovecit me 2, 3 dhe 4 shtator.
“Andaj, unë ftoj institucionet që të mos humbin mundësi për organizime të tilla sepse përfitimet për shoqërinë janë të jashtëzakonshme, e njëkohësisht ju ftoj të gjithëve në Konak të Rahovecit, sivjet më 2, 3 dhe 4 shtator!”, ka shkruar Latifi.